Në vitet e para të regjimit komunist, megjithëse familjet e pasura durrsake kishin dhënë kontribute të konsiderueshme për luftën Nacionalçlirimtare, nisën të shpronësoheshin, të nxirreshin nga shtëpitë dhe t’u konfiskohej e gjithë pasuria. Një ndër familjet e përzëna nga banesat e tyre në qytetin e Durrësit ka qënë edhe familja e njohur Papaj.

Një ndër banesat që i përkiste kësaj familjeje ka qenë ish ndërtesa e njohur me emrin Fabrika e Gomës Durrës. Ajo ka pasur fatin që të rekuizitohej sa herë që në qytetin tonë do të shkelnin ushtri të huaja. Kjo shtëpi është marrë fillimisht nën sekuestro në kohën e luftës Italo-Greke. Ajo u kthye në vend komandë dhe në të u instalua Komanda Italiane e Pushtimit, me urdhër të qeverisë kuislinge shqiptare të asaj periudhe.

Me verdiktin e saj ajo e sekuestroi përkohësisht për nevojat e luftës. Pas kapitullimit të Italisë fashiste në të njëjtin vend u instalua Komanda gjermane.

Pas çlirimit të vendit në të është instaluar vend komanda e trupave aleate Anglo-Amerikane. Duke iu referuar një prej pronarëve të banesës Vaso Papajt, qeveria e pasluftës e ka sekuestruar përfundimisht dhe e ktheu në oficinë mekanike së bashku me ofiçinën e Nish Gomës përballë saj.

“Sekuestrimi i bërë ka qënë i rëndë. Janë sekuestruar njëkohësisht të gjitha dyqanet e pjesëve të këmbimit”, kujton Papaj. U mor njëkohësisht edhe e gjithë shtëpia. “Ne në atë kohë,- kujton ai,- kishim futur edhe qeraxhinj në banesë. Po nga banesa na kanë nxjerrë vetëm ne, pronarët e saj”. Ai kujton se si u kanë shkuar mjetet me ushtarë dhe i kanë nxjerrë në rrugë në mes të natës. “Nuk na lejuan të marrim asnjë plaçkë me vete”,- shton Vaso.

Kjo “gjëmë” sipas tij ka ndodhur edhe me familjet e tjera Haverikët, Dovanat, Rrufat, Muzinat, Fanët, Bilalët, Kosovat, Ali Sulën etj. Në atë periudhë të pasçlirimit në të gjithë Durresin, sipas statistikave që i përkasin asaj kohe janë vënë nën sekuestro rreth 1400 banesa. Vaso Papaj sjell në mend vilat e Myshketëve, Dovanave, Kajave, Nushëve, Bedenëve, Kaurrëve, Gjon Zajave, Gjatët, Kalamishëve, familjeve Shijaku, Ikonomi, Toska, Tabaku, Gjezi, Tora, Deliallisi, Spiru, Anastadhiadhi, Jareci, Bakiri, Rexhat, e shumë të tjerë.

Vaso thotë me keqardhje se “qyteti ynë qe shumë i vogel në atë periudhë dhe në atë kohë u godit e gjithë qytetaria durrsake. Në banesat e shpronësuara pronarëve të ligjshëm hynë qeveritarët, ushtarakët nga rrethet etj.

Sekuestrimet u bënë pa ligj të posaçëm

Vaso Papaj sjell një të re interesante. Shtëpitë nuk janë sekuestruar më dekrete të posaçme. Ato, familjet e pasura durrsake, sipas tij kanë dalë nga banesat e sekuestruara pa asnjë vendim, por me urdhra ekzekutiv që janë shtrirë kryesisht në 3 vite. Nga viti 1945 deri në vitin 1948. Vendimi 801 është miratuar në vitin 1951.

 

Ne në atë kohë kishim futur edhe qeraxhinj në banesë. Po nga banesa na kanë nxjerrë vetëm ne, pronarët e saj. Nuk na lejuan të marrim asnjë plaçkë me vete. Kjo “gjëmë” sipas Vaso Papajt ka ndodhur edhe me familjet e tjera Haverikët, Dovanat, Rrufat, Muzinat, Fanët, Bilalët, Kosovat, Ali Sulën etj. Në atë periudhë të pasçlirimit, në të gjithë Durrësin, janë vënë nën sekuestro rreth 1400 banesa

Ai theksonte se për nevojat e vendit sekuestrohen pa shpërblim. Këto shtëpi nuk ju morën të pasurve me akuza p.sh. për krime lufte. Kjo pasi të gjitha këto familje kishin ndihmuar luftën në atë periudhë. Shumë prej tyre kishin marrë pjesë edhe në takimet e Pezës. Këto masa nuk ishin zyrtarisht masa politike, por ekonomike. “Shumë prej banesave gjatë viteve të komunizmit u prishën dhe në vend të tyre u ndërtuan pallate dhe të gjithë pronarët,- thotë Papaj,- mbeten me gisht në gojë”.

Atje janë ngritur dyqanet e kateve të para që ndodhen në pronat e ish pronarëve, pasi ato u privatizuan nga shitësit, ndërsa banesat sipër tyre janë privatizuar nga banorët ose presin t’u rikthehen pronarëve të ligjshëm. Rikthimet janë bërë me hapa të ngadalta. “Ne si familje,- thotë Papaj,- nga ato që kishin mbetur në këmbë, në letra na janë kthyer 80 %, ndërsa në realitet nuk na janë kthyer as 30 %. Ndërkohë nuk u është kthyer thuajse asgjë Rrufëve, Tirëve, Bakirëve, Rexhëve, Myshketëve, Kokëve etj”.

Janë rreth 850 banesa të pakthyera ende. “Në 4 vjeçarin e parë janë liruar,- shton Papaj,- 400 hyrje. Tani shifra 850 qëndron ende pas 4 viteve. Kjo e bën të pamundur kthimin e tyre brenda këtij muajit!”

Gazeta “Bashkimi”:

Ofiçina e Papajve ndër më të mëdhatë në Ballkan

Në vitin 1937 filloi ndërtimi i shtëpisë dhe i ofiçinës moderne që u pajis me atrecaturë nga më modernet për atë periudhë kohore. Makineritë e mjetet e tjera kanë qenë të gjitha të teknologjive më të avancuara italiane, amerikane, franceze, gjermane etj. Llojet e makinerive ishin të ndryshme si: torno, freza, retifika, retifika cilindrash, trapano, makineri të cilat kanë shërbyer në ndërmarrjet e reja që u krijuan më vonë deri në vitet 1990 si në UMB – Durrës, në Kantierin Detar, si dhe në uzinën “Enver" Tiranë. “Mbaj mend,- thotë Vaso,- se vetëm makineri metalprerëse të mëdha mund të kenë qenë rreth 30 copë”. Ai sjell ndër mend një artikull të gazetës “Bashkimi" të viteve 1946, ku shkruhej për Papajt me nota të larta konsiderate si njerëz që kanë arritur të ngrenë një nga ofiçinat nga më të mëdhatë në Ballkan. “Në artikull,- sipas Vasos,- shkruhej mes të tjerash se ata në ndryshim nga pronarët e tjerë të Durrësit, të gjitha paratë e fituara i kanë investuar për ngritjen e një industrie mekanike moderne”. Vaso thotë se ajo vlerësonte veçanërisht kontributin që jepte oficina në ato vite për mirëmbajtjen dhe riparimet e makinerive të asaj perudhe. “Sikur të mos ishte kjo oficinë,- citonte gazeta “Bashkimi",- të gjitha mjetet e mekanizuara, të mbetura pas luftës, do të ishin kthyer në grumbull hekurishtesh". Kjo deklaratë është shkruar publikisht vetëm një vit para se të fillonte sekuestrimi i tyre.

“Për të ngritur ketë ofiçinë,- thotë Vaso,- është blerë një sipërfaqe toke nga familja Toptani. ku u ndërtua edhe një shtëpi 5 katëshe”. Në vitet 1938 ofiçina u transferua në ndertesën që njihet sot në Durrës si ish godina e Nish Gomës së vjetër. Gjatë luftës, kjo ndërtesë ka shërbyer si vend komandë italiane e pushtimit. Më pas pati po të njëjtin funksion kur në Durrës u vendosën trupat gjermane. Pas çlirimit të vendit në të u vendos misioni Anglo-Amerikan dhe pas largimit të tyre, kjo ndërtesë u shtetëzua dhe shërbeu si godina e drejtorisë së Nish Goma Durrës.