Gjykata e Lartë zbardhi dje arsyetimin e vendimit gjyqë sor të dënimit me 4 vjet burg të anëtares së pezulluar të kësaj Gjykate, Majlinda Andrea, shkruan “Panorama”, e cila publikon sot pergjimet.

Në arsyetimin e vendimit, Kolegji Penal vlerëson se e pandehura Majlinda Andrea ka konsumuar elementët e veprës penale të “korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, Prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Sipas vendimit, në gjykim u vërtetua lidhja qe kishte i pandehuri Petraq me te pandehurën Majlinda, si kushërinj të dytë.

I pandehuri Petraq Dashi ka dashur të realizojë qëllimin qe ai kishte bashkë me të pandehurit e tjerë, duke përdorur lidhjen qe ai kishte me “njerëzit e tij”, si dhe me “gocën e xhaxhait”, duke aluduar për të pandehurën Majlinda Andrea.

Në përgjimin e datës 24 qershor 2016 mes tyre komunikohet:

Petraqi: Hiç asgjë fare, as nuk më ka marrë as ashtu… nuk e di si e qysh e do vijë. Nuk po e marr vesh fare, më tha më prit, më prit, po të marr vetë në telefon e kaq.

Ilia: Mos është e nevojshme të vete unë një herë lart vetë…?

Petraqi: Po jo ore vëlla se e bezdis, unë merrem me njerëzit e mi atje, thashë një mendje me gocën e xhaxhait, t’i veja te shpija, por më duket si. N.q.s të ka thënë kshu është kot tha…

ÇËSHTJA PER PRONËN

Është vërtetuar në gjykim se, çështja civile me objekt “Përcaktimi i kufijve për sipërfaqen 40 ha e ndodhur në Ksamil”, ishte regjistruar ne Gjykatën e Lartë që më datë 21.11.2014 dhe do shqyrtohej nga një Kolegj në përbërje të të cilit ishte dhe e pandehura Majlinda Andrea.

Në përgjimin e datës 6 korrik, mes Ilia Çabirit dhe Petraq Dashit thuhet:

Petraqi: E mo Ylli?

Petraqi: Atij mikut i çova fjalë me të atin me një fjalë.

Ilia: Po?

Petraqi: Edhe tha është akoma në ashu, tha po e shikojmë, tha mos ki merak. Kjo ishte përgjigja.

Ilia: Mos ki merak? Kaq?

Më 10 Korrik 2016, në orën 18:35, i pandehuri Petraq Dashi ka marrë në telefon të pandehurin Ilia Çabiri dhe më pas, në orën 18:39, ka marrë në telefon të pandehurën Eleni Lino.

Petraqi: Unë fola me një fjalë direkt me mikun…

Ilia: Po?

Petraqi: Mos ta zëmë emrin.

Ilia: Mos zë emra, jo, jo, iç, vazhdo.

Petraqi: Ashtu tani që sa folëm bashkë ne në mëngjes, un kontaktova edhe me mesazh.

Ilia: Po.

Petraqi: Tani që nga mëngjesi deri tani që un i thash propozimet dhe më tha, Petraq, ai nuk pranon as me toka as me gjë, i do të thata. Në rregull?

Ilia: Po.

 

Petraqi: Dhe e vetmja gjë që na bëri ai ne është që nga 60 e çoj 50. Dakort? Ktë po ta them ty, do marr dhe Lenicen, do t’ia them dhe asaj tani, sepse për ne është gjë e madhe që e uli 10.