Sia ka kërkuar divorcin nga bashkëshorti i saj i dytë, Daniel Bernard. Këngëtarja, emri i plotë i së cilës është Sia Furler, paraqiti kërkesën për zgjidhje martese të mërkurën në Los Anxheles, raporton CNN.

Ajo citon si arsye mospërputhjen e palëve. Çifti u martua ligjërisht në vitin 2022.

Dokumentet e publikuara në media zbuluan se në vitin 2024, ka ardhur në jetë fëmija i tyre, Somersault. Ajo kërkon kujdestari të plotë ligjore dhe fizike të fëmijës duke i lejuar Bernard të drejtat e vizitave.

Këngëtarja australiane ka qenë e martuar në vitin 2014-2017 me Erik Anders Lang. Në vitin 2019 ajo adoptoi dy djem 18-vjeçarë. Në vitin 2020, ajo zbuloi se njëri prej tyre ishte bërë baba dhe ajo është edhe gjyshe, madje tha se pseudonimi i saj është “Lovey”.