SIBERI – Popullsia në Siberi është e shokuar, pasi mediat vendase kanë bërë publike, një ditë më parë, një akt kanibalizmi që i ka marrë jetën një vogëlusheje 2 vjeçare. Fatkeqësisht nuk bëhet fjalë për një rivënie në skenë të filmit të famshëm “Heshtja e të pafajshmëve”, por për një ngjarje të vërtetë. Një 34 vjeçar nga një fshat i Siberisë ka prerë në copa mbesën e tij 2 vjeçare dhe e ka pjekur në furrë. E ëma e fëmijës kishte shkuar për vizitë tek disa të afërm, ndërkohë që vogëlushen e kishte lënë nën kujdesin e vëllait të saj.
Në një moment çmendurie, 34 vjeçari e ka vrarë mbesën e tij duke e goditur fort në kokë dhe më pas trupin e saj e ka ndarë në disa pjesë, disa prej të cilave i ka vënë për t’u pjekur në furrë.
E kthyer nga të afërmit, nëna e vajzës e ka gjetur të vëllanë duke ngrënë mish, ndërkohë që ka konstatuar menjëherë mungesën e vogëlushes në shtëpi. Megjithëse në gjendje shoku ajo ka arritur të thërrasë policinë.
Pas mbërritjes së tyre 34 vjeçari nuk ka shprehur asnjë emocion megjithëse sapo kishte kryer një akt çnjerëzor. Ai e ka pranuar menjëherë krimin që kishte bërë dhe ka lejuar policët që ta shoqëronin për në komisariatin e policisë së zonës.