Mesfushori i skuadrës së Teutës, Lancient Sidibe, rrëfen gjithçka. Sezonin e shkuar e konsideron të suksesshëm. Lojtari afrikan është i bindur se Teuta do të bëjë një kampionat të veçantë, ndonëse nuk bëri ndonjë gjë të madhe në Europë.
Lancient, Teuta u eliminua nga Europa vetëm pas një turi. Çfarë mendoni se nuk shkoi në këto dy ndeshje?
Skuadra zhvilloi dy ndeshje shumë të mira dhe kjo na jep bindje për të ardhmen e Teutës. Për mua, ndikoi pak dhe pjesa e eksperiencës, por dhe fakti që kundërshtari ishte në kulmin e sezonit në kampionat dhe kjo bëri që, pavarësisht se zhvilluam dy ndeshje të mira, nuk arritëm të kalojmë më tej.
Si e konsideroni vitin me Teutën dhe kualifikimin në Europë?
Mendoj se ka qenë një vit i suksesshëm. Kjo nuk diskutohet, sepse e kemi arritur objektivin. Duhet të bëjmë maksimumin për t’u rritur akoma më shumë ketë sezon dhe për të krijuar një mentalitet fitues. Dhe kur arrin objektivin, është gjithmonë sukses. Tani do të mendojmë për nisjen e Superiores për të parë si do të organizohemi, por në vetvete stafi ka programuar datën kur do të fillojmë stërvitjen dhe vendin ku do të zhvillojmë fazën përgatitore.
Tek Teuta jeni përshtatur mirë. Si e shikon Sidibe sezonin e parë në Durrës?
Arsyeja që kam ardhur tek Teuta kanë qenë pikërisht përmbushja e objektivave që kanë drejtuesit. Për fat të mirë, dëmtime nuk kam pasur. Tashmë ndihem më mirë në Durrës, sepse jam ambientuar me ekipin dhe shokët. Shpresoj dhe e kam bindjen se sezoni i ri të jetë i lumtur për të gjithë dhe të arrijmë objektivin që do vendosë klubi.
Si e shihni kampionatin shqiptar, konkurrencën që fal ky edicion?
Të them të drejtën, futbollin shqiptar e kam ndjekur dhe kur luaja në vendin tim, pavarësisht se u bëra 5 vite këtu. Me bindje të plotë them që pas çdo viti ky kampionat pëson vetëm rritje. Konkurrenca e madhe normalisht ka ndikuar dhe është një kampionat me pak diferenca dhe kjo e bën më të veçantë. Ky edicion e tregoi që konkurrenca është shumë e fortë, ku në vijën e parë për titullin kampion ishin në luftë 3-4 skuadra. Është rritur niveli i futbollistëve dhe i cilësisë së lojtarëve këtu.
Ku do ta shohim Sidibenë sezonin e ardhshëm, apo përsëri do të mbani veshur fanellën blu?
Teuta është zgjedhja ime e parë pasi ndihem mirë këtu. Jam i kënaqur nga ekipi, po paraqiten shumë mirë, me mobilizim dhe përqendrim në stërvitje e ndeshje.





