Teuta vazhdon me përgatitjet intensive për javën e dhjetë, ku përballë gjen Flamurtarin. Takimi i fazës së parë u mbyll në barazim pa gola dhe tani, me skuadrat që kanë ndërtuar profilin e tyre, pritet të jetë një ndeshje interesante. Këtë gjë e dinë shumë mirë në kampin durrsak. Shkëmbi nuk kërkon t’ia lërë asgjë rastësisë.
Skuadra sheh në gjirin e saj të rikthyer Sidiben, i cili do të ketë përballë ish-skuadrën e tij. Pritet me shumë interes dhe rikthimi i Hakajt në fazën e mbrojtjes. Ndryshimet e shumta në javët e fundit kanë bërë që konkurrenca të jetë më e lartë. Askush nuk e ka më vendin e sigurt, dhe për ta fituar, duhet të punosh shumë. Skuadra ka fituar besimin e munguar në vetvete, për sa u përket ndeshjeve jashtë fushës. Për më tepër, duhet të mësohen me këtë mentalitet, pasi në pesë javë do ketë vetëm dy ndeshje në “Niko Dovana”.
Fitoret e fundit kanë nxjerrë në dritë cilësitë e durrsakëve, duke filluar me mbrojtjen që regjistron ndeshjen e gjashtë pa pësuar gol në këto nëntë javë të para të kampionatit.Të vetmit që i kanë shënuar Teutës janë Kukësi, Luftëtari dhe Partizani, duke formuar kështu mbrojtjen e katërt më të mirë të kampionatit. Mesfusha është reparti, i cili shpesh ka pësuar ndryshime, i fundit ishte Osmani që ndoshta mund të bëjë liderin dhe aty, por gjithçka mbetet për t’u parë. Në sulm bregdetarët i falen benjaminit të tyre, Latif, i cili është kthyer në një “makineri golash”, duke marrë dhe kryesimin e golashënuesve i vetëm.Në harkun e tetë viteve, “djemtë e detit” kanë fituar vetëm dy herë në Vlorë.
Fitorja e fundit daton në shkurtin e 2017-s (0-1) me golin e Cmajcanin në minutën e 90-të, çka tregon që është një fushë tepër e vështirë për ta. Por, kjo skuadër ka treguar që di të marrë rezultat dhe të shkaktojë gjithmonë surpriza. Shkëmbi u bën me dije të tijve që janë në rrugën e duhur dhe skuadra nuk duhet të ulë marshin, me të cilin po ecën dhe që duhet të qëndrojnë me “këmbë në tokë”.





