Tiranë, 6 korrik 2014 – Ligji i ri për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit që synon forcimin e mbrojtjes së konsumatorëve përmes një rregullimi të detajuar të detyrimeve të shoqërive siguruese ndaj klientëve, nisi zbatimin e tij që nga data 4 korrik. Nëse në ligjin e mëparshëm mbrojtja e konsumatorit rregullohej vetëm në 2-3 nene, në ligjin e ri kemi një kapitull të tërë, për këtë aspekt.
Shoqëritë detyrohen gjithashtu të përgjigjen me shkrim, brenda 15 ditësh, për çdo ankesë apo kërkesë për informacion që lidhet me kontratën e sigurimit. Ligji parashikon rregulla të hollësishme për administrimin e rrezikut nga shoqëritë e sigurimit, duke mbajtur një nivel të mjaftueshëm kapitali në raport me volumin, klasat e sigurimit dhe natyrën e rreziqeve.
Gjithashtu, ligji parashikon rregulla të hollësishme për administrimin e likuiditetit, primet e sigurimit, krijimin e provigjoneve të mjaftueshme teknike dhe matematike, masa për rimëkëmbjen financiare.
Risi në këtë fushë është e drejta që u jepet shoqërive të sigurimit gjithashtu, që të ushtrojnë veprimtarinë promocionale për produktet që ato ofrojnë në treg. Risi e ligjit është edhe krijimi i mundësisë së shoqërive të sigurimit dhe risigurimit të vendeve anëtare të Bashkimit Europian që të licencohen për të ushtruar veprimtarinë në vendin tonë, duke themeluar degë ose duke ofruar shërbime të drejtpërdrejta.
Shoqëritë e sigurimit, gjithashtu, sipas ligjit, janë të detyruara të krijojnë sistemin kontrollit të brendshëm për monitorimin e veprimtarisë së tyre. Objektiv i këtij sistemi kontrollues janë identifikimi i llojit të risqeve ndaj të cilëve është ekspozuar shoqëria e sigurimit, matja, administrimi dhe monitorimi i nivelit të tyre.
Gjithashtu, shoqëritë e sigurimit detyrohen të krijojnë njësitë e auditimit të brendshëm si pjesë përbërëse të kontrollit të brendshëm. Auditimi ligjor i shoqërisë së sigurimeve kryhet vetëm nga persona juridikë, të licencuar dhe për këtë veprimtari të miratuar edhe nga AMF-ja.
AMF-ja, ka licencuar 11 shoqëri sigurimesh të jetës dhe jo të jetës, të cilat ofrojnë një gamë të gjerë produktesh sigurimi në treg. Ky treg është karakterizuar nga rritja e nivelit të aktiviteteve të kapitalizimit, rentabiliteti dhe rritja e aftësisë paguese të shoqërive të sigurimit.
Megjithatë, duhet pranuar se rritja e tregut të sigurimeve, në krahasim me vendet e tjera, dhe nevojat e tregut tonë, është më e ulët, madje konstatohet një rënie e ritmeve në vitin 2013, në krahasim me vitin 2012. Duke iu referuar vlerësimeve të Bankës Botërore, tregu i sigurimeve në Shqipëri mbetet pas të gjitha vendeve të Europës Juglindore dhe Qendrore.
Volumi i primeve ka arritur në 0.66 % të GDP-së, ndërsa konsumi i sigurimeve është 20 euro për banor, sigurimet e detyrueshme, MTPL-të, dominojnë tregun, duke përbërë 57 % të totalit të primeve të sigurimit.
/ata/





