Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë bllokuar gjatë kësaj jave 39 mjete lundruese nga Ksamili në Koman.
Sipas informacioneve të policisë mjetet e bllokuara janë 25 jet ski, 4 gomone dhe 6 varka metalike që kishin të instaluar motor uji.
16 mjetet lundruese që janë bllokuar është konstatuar se lundronin brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve.
Ndërkaq 17 drejtues të mjeteve krahas bllokimit u ndëshkuan edhe me gjobë 10,000 mijë lekë për mungesë dokumentacioni.
“Gjatë kësaj jave nga Ksamili në Koman, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë bllokuar 39 mjete lundruese. Mjetet e bllokuara: 25 jet ski, 4 skafë, 4 gomone dhe 6 varka metalike që kishin të instaluar motor uji. 2 mjete lundruese janë bllokuar nga Ksamili në Vlorë. 8 mjete lundruese janë bllokuar nga Durrësi në Shëngjin. 3 mjete lundruese janë bllokuar në Velipojë. 6 varka metalike janë bllokuar në liqenin e Komanit për mungesë dokumentacioni dhe kushteve të sigurisë.
16 prej mjeteve lundruese të bllokuara janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare, duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili me masë administrative 100,000 lekë. Drejtuesit e 17 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili me masë administrative 10,000 lekë për mungesë dokumentacioni.
Drejtuesit e 6 mjeteve të tjera lundruese, (varka metalike), krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili me masë administrative 20,000 lekë për mungesë dokumentacioni dhe të masave të sigurisë,” thuhet në njoftimin e policisë.