Ballkani Perëndimor nuk është periferi, por “sistemi nervor” i sigurisë së Europës. Kështu e përkufizon ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, rolin e rajonit në arkitekturën e sigurisë europiane.
“Rajoni ynë nuk është periferi e sigurisë së Europës, por pjesë e sistemit të saj nervor. Çfarë ndodh këtu jehon në të gjithë kontinentin,” tha Vengu në një intervistë për Euractiv, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih,
Sipas tij, rajoni vazhdon të përballet me kërcënime hibride dhe kibernetike, me dezinformim dhe ndikime të jashtme. “Këto rreziqe nuk janë abstrakte, por mjete të dizajnuara për të gërryer institucionet dhe për të fragmentuar shoqëritë,” shtoi ai.
Në këtë situatë, përgjigjja e Shqipërisë është rreshtimi me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe zbatimi i reformave të rekomanduara. Tirana kontribuon me trupa si në misionet e NATO-s, ashtu edhe në ato të drejtuara nga BE në rajon.
I pyetur nëse Shqipëria do të kërkojë akses në kredinë 150 miliardë euro të nismës SAFE të BE-së, në rast se përshpejtohen negociatat e anëtarësimit, Vengu theksoi se Shqipëria është tashmë aleate e NATO-s, plotësisht e ndërveprueshme dhe e angazhuar operacionalisht. Sipas tij, anëtarësimi në BE vetëm sa do ta konsolidojë më tej pozicionin mbrojtës të vendit.
SAFE është një nismë e Bashkimit Europian me vlerë 150 miliardë euro, që ofron hua me interesa të ulëta për shtetet anëtare për investime në prodhimin industrial të mbrojtjes dhe në prokurime të përbashkëta.
“Para më shumë se një viti nënshkruam një Partneritet të ri për Sigurinë dhe Mbrojtjen me BE-në. Punojmë ngushtë me Agjencinë Europiane të Mbrojtjes. Përfitojmë nga Instrumenti Europian i Paqes. Megjithatë mbetemi jashtë financimit SAFE,” tha ai.
“Është e rëndësishme të kuptohet se për aleatë më modestë nevojiten mekanizma afatgjatë financimi për t’i bërë projektet e përbashkëta të realizueshme, si dhe për të integruar industrinë tonë të mbrojtjes në zinxhirin europian të furnizimit,” shtoi ministri.
Sipas Vengut, zgjerimi i BE-së në Europën Juglindore është po aq çështje e koherencës dhe vendosmërisë gjeopolitike të BE-së, sa edhe e standardeve europiane në vendet kandidate. Shqipëria synon të anëtarësohet deri në vitin 2030.
“Kuptohet që duam të jemi një vlerë e shtuar, një hallkë e fortë në zinxhirin europian,” tha ai.
Duke folur për mësimet nga lufta në Ukrainë, Vengu u shpreh se “shpejtësia dhe masa kanë sërish rëndësi” në inovacion, kapacitet prodhimi, logjistikë dhe rezerva.
“Tashmë është e qartë për të gjithë se parandalimi pa zinxhirë furnizimi është një iluzion. Së dyti: rezistenca është kombëtare përpara se të jetë aleate. Nuk mund ta delegosh përgatitjen,” tha ai.
Ministri premtoi se Shqipëria po ringjall segmente të ‘fjetura’ të industrisë së mbrojtjes, po forcon korridoret logjistike dhe po përmirëson portet dhe infrastrukturën.
Sipas tij, industria vendase e mbrojtjes po përfiton edhe nga rritja ekonomike dhe dyfishimi i Prodhimit të Brendshëm Bruto që nga viti 2016.
Deri tani, sipas Vengut janë krijuar katër sipërmarrje të përbashkëta dhe janë nënshkruar gjashtë marrëveshje që fokusohen në sisteme kundër dronëve, mjete taktike, municione, pajisje mbrojtëse dhe komponentë të specializuar.
“Në përputhje me angazhimin e samitit të fundit të NATO-s, forcat tona të armatosura po fokusohen në rritjen e kapaciteteve në të gjitha strukturat luftarake, modernizimin e sistemeve tokësore dhe të radarëve, flotës detare dhe nisjen e investimeve në mbrojtje të shtresëzuar,” tha ai.
“Të gjitha marrëveshjet tona të modernizimit janë përfunduar me kompani nga vende aleate dhe partnere, përfshirë SHBA dhe kompani europiane. Sinqerisht, janë emrat e zakonshëm: Lockheed, Elbit, Thales, Heckler & Koch, SAAB, etj. Dhe po negociojmë me kompani të tjera për të ngritur sipërmarrje të përbashkëta, përfshirë Leonardo dhe Fincantieri,” tha Vengu.
Në fund, mesazhi i tij ishte i qartë: “Synojmë të jemi një shtet anëtar i besueshëm, i parashikueshëm, që kontribuon në stabilitetin rajonal dhe prosperitetin europian.”
“Nëse Europa kërkon thellësi strategjike, duhet të integrojë ata që e ofrojnë çdo ditë,” përfundoi ministri.





