Siguria kibernetike mbetet një nga sfidat më të rëndësishme të shoqërisë, sidomos vitet e fundit kur përdorimi i internetit dhe rrjeteve sociale ka marrë një zhvillim të paparë.
Problemi është sidomos prezent për të rinjtë, që janë përdoruesit më të rregullt të internetit dhe grupmosha që kalon më shumë kohë online. Siguria e të dhënave personale ka marrë një vëmendje të shtuar sidomos gjatë periudhës së pandemisë, kur pati një rritje eksponenciale me rreth 300% të raportimeve për sulmet kibernetike.
Për të mësuar rregullat themelore për mbrojtjen e informacionit në celularë, kompjutera dhe rrjete sociale, studentët e UAMD kanë tashmë mundësinë që të ndjekin një kurs online falas, në fund të të cilit pajisen edhe me certifikatën përkatëse.
Xhafer Rakipllari, drejtor i Administrimit dhe Shërbimeve Akademike në UAMD, shpjegon më shumë lidhur me këtë kurs 60 minutësh.
“Sot çdo 9 sekonda ndodh një sulm kibernetik. Kohët e fundit kemi vënë re që edhe në Shqipëri janë shtuar shumë. Universiteti “Aleksandër Moisiu” aplikoi dhe tashmë koordinon një projekt që quhet “Higjena kibernetike, si të ruajmë të dhënat tona online”. Projekti është shumë i rëndësishëm, sepse financohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Është ndër projektet e para në këtë fushë që financohet në Shqipëri dhe synon të mësojë të rinjtë që të jenë më të kujdesshëm në përdorimin e këtyre të dhënave”,– thotë Rakipllari.
Aktualisht kursi është i vlefshëm vetëm për studentët e UAMD-së dhe të gjithë të interesuarit mund të bëjnë regjistrimin falas në platformën cybereducation.org. Ai mund të ndiqet në dy gjuhë, shqip dhe anglisht dhe pjesëmarrësve nuk u kërkohen njohuri të mëparshme lidhur me sigurinë kibernetike.
“Ky kurs do të zhvillohet online, në 10 module video dhe në fund studentët do të pajisen me një certifikatë, që do të jetë e vlefshme përsa i përket pjesës së studimeve të tyre pasuniversitare. UAMD është duke zhvilluar gjithnjë e më shumë partneritete me organizata dhe universitete perëndimore dhe në këtë vazhdë besojmë që një nga pikat më të rëndësishme në të ardhmen do të jetë fokusi që do të vendosim mbi sigurinë kibernetike”,- thotë Rakipllari.
Ky kurs është pjesë e programimit të sigurisë kibernetike të CRDF Global në Moldavi dhe Ballkan, zbatuar me mbështetjen e Zyrës së Koordinatorit të Asistencës për Evropën dhe Euroazinë në Departamentin Amerikan të Shtetit.
M.B.