Nga kjo e mërkurë, sigurinë në aeroport do ta marrë përsipër komisariati i policisë së Rinasit. 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu në një konferencë për shtyp nga Rinasi u shpreh: "Shefi i komisariatit të policisë së Rinasit krahas detyrave funksionale që do të ketë për kontrollin e menaxhimit të kufirit merr edhe përgjegjësinë e drejtimit, menaxhimit, kontrollit dhe bashkëpunimit me kompaninë e sigurisë në aeroport për të bërë të mundur kthimin e sigurisë në ato parametra që kërkojnë qytetarët por edhe standardi i Aviacionit Civil".

Pas dislokimit të Forcave të Armatosura, në perimetrin e jashtëm në aeroportin e Rinasit, Policia e Shtetit merr sigurinë në kontroll duke rritur prezencën.

Nga ana tjetër, zv.ministri i Brendshëm Llamallari e cilësoi grabitjen si humbjen më të vogël, ndërsa theksoi se nuk pati humbje njerëzish.

“Ne patëm me bisedë me drejtorin e TIA, që ka të bëjë me rritjen e sigurisë në aeroportin e Rinasit. Do të ndryshojmë duke pasur parasysh ngjarjen që ka ndodhur. Në këtë moment sikurse tha drejtori i policisë masat e policisë do të rriten. Çështja e sigurisë është edhe problemi i ruajtjes së një figure të një aeroporti ndërkombëtar",– tha Llamallari.