10 qershor 2015 – Rreth 80% e njerëzve kanë frikë nëse llogaritë e tyre online mund të bien pre e ndonjë sulmi dhe të dhënat e tyre mund të bien në duart e keqbërësve, sipas një studimi në Britani dhe Amerikë.
Ekspertët kanë rënë dakord për pesë pika, ku secili prej nesh duhet të tregohet i kujdesshëm, dhe nëse i ndjekim këto këshilla nuk kemi pse shqetësohemi.
Përdorni fjalëkalime të sigurta – Eskpertët thonë se njerëzit duhet të kenë kujdes kur vendosin për një fjalëkalim. Fjalëkalimet e gjata janë më të vështira për t’u hakuar, se sa ato që kanë karaktere të ndryshme apo numra.
Mos shkarkoni skedarë nga njerëz të panjohur – Në e-mailin tuaj mund të vijnë çdo ditë skedarë për të shkarkuar, por ju duhet të keni kujdes se çfarë shkarkoni. Mos e bëni këtë veprim me persona që ju nuk i njihni. Gjithashtu, kujdes me linqet, mos klikoni në ato që ju dërgojnë persona të panjohur.
Mos këmbeni të dhënat personale me e-mail – Nëse dikush kërkon të dhënat tuaja personale përmes e-mailit, mos ia dërgoni. Asnjë biznes serioz nuk do t'ju kërkojë që t’i nisni të dhënat tuaja me e-mail. Numrin e kartës tuaj, fjalëkalimet, ditëlindja dhe gjëra të ngjashme, nuk nisen me e-mail.
Kujdes kur shkarkoni programe/aplikacione – Çdo ditë mund të shkarkojmë programe të ndryshme, ose aplikacione në celular. Ju duhet të bëni kujdes se kujt i përkasin këto aplikacione. Ka shumë aplikacione që i përkasin kompanive të besueshme, por dhe të tjera që janë krijuar nga të panjohur, të cilat duhen shmangur.
Mbani nën kontroll fëmijët – Nëse keni fëmijë në shtëpi, atëherë ata kanë nevojë që të edukohen në mënyrën e duhur. Kufizojini gjërat që mund të bëjë fëmija juaj online, duke iu treguar çfarë nuk duhet të shpërndajnë në internet.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/