Pas krimeve të fundit që u shënuan në këtë fillimjanari në vendin tonë, Policia e Shtetit ka vijuar punën për rritjen e parametrave të sigurisë. Nga ana e uniformave blu vijojnë kontrollet për persona në kërkim, ata me precedentë penalë dhe me armë pa leje, gjithashtu vazhdon dhe verifikimi dhe ndjekja e konflikteve të dhunës në familje, monitorimi dhe ndalimi i shkelësve të Kodit Rrugor.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë kapur, arrestuar e ndaluar 38 persona për vepra të ndryshme penale dhe konkretisht:

– 7 persona në kërkim; 

– 6 persona për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor;

– 4 persona për dhunë në familje;

– 3 persona për trafikim të lëndëve narkotike;

– 5 persona nga Sektori kundër Krimit ekonomik e financiar;

– 2 persona janë për përndjekje;

– 11 persona në flagrancë duke vjedhur. 

Policia Rrugore ka vendosur 1.698 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, janë pezulluar 8 leje drejtimi dhe janë bllokuar 11 automjete pa dokumentacion përkatës.  Gjithashtu policia ka shoqëruar për verifikime të ndryshme, 53 persona në të gjithë vendin. Arrestimet janë kryer në Tiranë, Lezhë, Gjirokastër, Elbasan, Korçë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Qaf Botë, Morinë e Kapshticë.

Policia e Shtetit thekson se për të parandaluar paligjshmërinë në vend dhe për të krijuar një ambient e shoqëri më të sigurt, edhe në ditët në vazhdim do vijojë punën me shërbime të përforcuara duke ngritur pika kontrolli në akset rrugore, kontrolle të lokaleve të natës dhe atyre të frekuentuara nga persona me precedentë penalë.