Sezoni veror krijon një mbingarkesë në zonat bregdetare ku mijëra turistë kalojnë pushimet, por me shumë gjasë i ruan Zoti nga helmimi prej ushqimeve që konsumojnë, pasi siguria në shumicën e fast-foodeve apo restoranteve është zero.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit lajmëroi sot se në kuadër të masave te marra për sezonin turistik veror për vitin 2017, për periudhën qershor-gusht ka kryer 1285 inspektime në operatorët e biznesit ushqimor të cilët prodhojnë, përpunojnë dhe tregtojnë produkte ushqimore (bare, restorante, fast-foode, pastiçeri, supermarkete, minimarkete, njësi prodhimi dhe tregtimi akullore)”.
“Nga inspektimet e kryera janë marrë 384 masa administrative me gjobë dhe paralajmërime për subjektet, në të cilat janë vërejtur mangësi të kushteve higjieno-sanitare, mungesë dokumentacioni shoqërues, mungesë të librezave shëndetësore të personelit dhe analizës së ujit, mungesë e planit mbi masat e luftës kundër dëmtuesve, brejtësve dhe insekteve (plani 3D).
Numri më i madh i inspektimeve është kryer në qarqet Durrës dhe Vlorë, për shkak edhe të subjekteve të shumta, që ushtrojnë aktivitetin, si bare, restorante, fast-foode etj.
Në çdo rast inspektorët e AKU kanë kryer kontrolle periodike në të gjitha restorantet dhe subjektet e tjera, për të garantuar sigurinë ushqimore në zonat bregdetare, aty ku konsumi është rritur ndjeshëm për shkak të rritjes së fluksit të madh të pushuesve.”– thuhet në njoftim.
AKU lajmëron se kontrollet do të vijojnë deri në përfundimin e sezonit turistik, në të gjitha restorantet, baret, fast-food, markete,etj, për të garantuar sigurinë ushqimore.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i bën thirrje të gjithë konsumatorëve, që për çdo shqetësim që kanë lidhje me sigurinë ushqimore, të denoncojnë pranë portalit online “Inspektori digital”