TIRANE – Jo vetëm shërbimet tek spitalet publike, por edhe disa shërbime të ofruara nga privatët do të mund të përfshihen në skemën e sigurimeve shëndetësore. Këto praktika të reja pritet të hyjnë në fuqi marsin e vitit të ardhshëm, pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të Sigurimeve Shëndetësore.
Spitalet private që do të ofrojnë këto shërbime do të jenë të liçensuar dhe duhet të plotësojnë disa kritere të vendosura nga ISSH-ja.
"Kontraktimi i spitaleve private për paketa shërbimi të caktuara apo pjesë të tyre do të bëhet pas procesit të akreditimit dhe nëse sjellin risi dhe ulje çmimesh në krahasim me publikun, por edhe cilësi më të mirë në rast të tjera, duke lejuar edhe bashkëpagesën, mënyra e aplikimit të së cilës është për t'u përcaktuar ",- tha drejtoresha e ISKSH-së Elvana Hana.
Nga ana e tij edhe ministri i shëndetësisë, Vangjel Tavo, e ka vlerësuar reformën që po ndërmerret në sistemin shëndetësor.
"Kjo reformë është shumë më e gjerë dhe shpreh bindjen personale se do të arrijë një cilësi më të mirë, akses më të gjerë të shërbimeve shëndetësore, mbrojtje financiare për pacientin dhe mbulim të shpenzimeve për ata që nuk kanë mundësi të paguajnë, si dhe shfrytëzim më të mirë jo vetëm të kapaciteteve diagnostikuese dhe trajtuese, por edhe të atyre njerëzore përmes përmirësimit të infrastrukturës të shërbimit shëndetësor",- tha Tavo.





