TIRANE – Tarifa e sigurimit të detyrueshëm të makinave arrin deri në 18 500 lekë. Pas uljes së ndjeshme që pati pësuar sigurimi vjetor i automjetit, që deri rreth një muaj më parë vërtitej në shifrat 6-6.5 mijë lekë tani vlera e tij është trefishuar. Kompanitë e sigurimeve kanë hequr diferencimet sipas fuqisë motorike të mjetit dhe, kështu çmimi i policës së sigurimit TPL është i njëjtë si për të gjitha makinat, pavarësisht fuqisë motorike.
Ulja e ndjeshme e çmimit të policës së sigurimit TPL solli për pasojë, vitin e kaluar, rënie në vlerën që kompanitë e sigurimit dëmshpërblenin drejtuesit e automjeteve në rast aksidentesh. Për të rregulluar tregun u desh ndërhyrja e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare (AMF), i cili ka caktuar si çmim bazë të primit të riskut vlerën 14.400 lekë të reja.
Ndërkohë kompanitë e sigurimit mbi vlerën e primit të riskut të fiksuar nga AMF kanë aplikuar marzhin e fitimit dhe natyrisht kanë shtuar edhe shpenzimet për shërbimin.
Çmimet e siguracioneve të makinave kanë qenë shpesh objekt përplasjesh mes Autoritetit të Konkurrencës dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Lufta për treg ndërmjet kompanive ka çuar disa herë në çmime që sipas Autoritetit Financiar janë dukshëm abuzivë.