Kura për Klorianin e vogël nga Spitalla e Durrësit, është siguruar. Pas apelit në portalin “DurrësLajm”, ku prindërit e 13-vjeçarit Klorian Poka, i cili vuan prej muajsh nga një sëmundje e rëndë, kërkonin ndihmë pasi nuk kishin para për të paguar ilaçet e të birit, sepse ndodhen në një gjendje të rënduar ekonomike, ato tanimë janë mundësuar nga një biznesmen.
Vogëlushi aktualisht ndodhet në pediatrinë e QSUT-së në Tiranë për t’iu nënshtruar seancës së tretë të kimioterapisë. Por gjendja e tij paraqitet mjaft e rëndë, ai ka nevojë për shërbim të specializuar dhe e vetmja alternativë për ta shpëtuar është jashtë vendit. Por familja e tij, mundësi nuk ka.
Pas publikimit të rastit të vogëlushit fatkeq, e para që e vizitoi ishte deputetja socialiste e Durrësit Esmeralda Shkjau, e cila si deputete e zonës, ka kërkuar menjëherë mbështetjen e ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja për rastin e Klorianit.
Në një komunikim për “DurrësLajm”, deputetja Shkjau pohoi se Ministria e Shëndetësisë nisi menjëherë procedurat e aplikimit për kurimin e fëmijës në një klinikë të specializuar në Turqi. Shkjau thotë se kërkesa për shtrimin e fëmijës në spitalin turk është dërguar dhe ndërkohë po pritet konfirmimi nga ana e tyre.
I urojmë vogëlushit shërim sa më të shpejtë!
S.L.





