Policia ka kapur një 34-vjeçar i cili ishte në kërkim pasi akuzohet se ka siguruar një sasi lënde plasëse që do të përdorej për ngjarje kriminale, në Durrës. Gjithashtu u kap dhe një shtetas malazez në kërkim.
Si rezultat i bashkëpunimit me shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, u bë e mundur kapja në hyrje të RSh-së, në PKK Morinë, dhe ndalimi i shtetasit K. L., 34 vjeç, banues në Dibër.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Durrësit, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”. Ai akuzohet se ka siguruar një sasi lënde plasëse që është gjetur në një banesë në lagjen nr.10, Durres, në vitin 2022, e cila nga hetimet rezultoi se do të përdorej për ngjarje kriminale.
-Si rezultat i bashkëpunimit me shërbimet e PKK Bashkim, Shkodër, u bë e mundur kapja në hyrje të RSh-së, në PKK Bashkim, dhe ndalimi i shtetasit malazez B. R., 44 vjeç, banues në Malin e Zi.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Durrësit, në vitin 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kontrabanda me mallra me regjim të ndërmjetëm”.





