Një futbollist është ndaluar nga autoritetet në Tiranë, teksa ka nisur hetimi dhe për dy bashkëpunëtorë të tij.
21-vjeçari me inicialet Y.Z. siguronte viza të dyshuara të falsifikuara, kundrejt pagesës, për shtetas të huaj, kryesisht nga Lindja e Mesme, për të hyrë në Shqipëri, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve me vendet fqinje, për të kaluar më pas në shtetet e tjera të BE-së.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit Sh. S., 43 vjeç dhe I. B., 27 vjeç, të dy banues në Gjermani, të cilët dyshohet se ndihmonin 21-vjeçarin, në këtë veprimtari kriminale.
Atij iu sekuestruan 13 viza të dyshuara të falsifikuara, mandate transfertash, dokumente të tjera dhe 2 celularë.
Policia raportoi se vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, teksa materialet i kaluan Prokurorisë.