Nga Mentor Kikia
Funksionimi i shtetit të së drejtës dhe shkalla e zbatimit të ligjit janë kërkesa të përhershme të ndërkombëtarëve, dhe ky “handikap” yni konstatohet në çdo raport mbi Shqipërinë. Ne i miratojmë ligjet, por, kemi një “problem” të vogël: nuk i zbatojmë. Ne miratojmë rregulla, por nuk i zbatojmë, rregulla që shkelen, që nga vijat e bardha në rrugë, deri tek ligjet për krimet e rënda. Në këtë këndvështrim përzihen dy elementë: aftësia jonë si shoqëri për të ndërtuar një shtet dhe korruptimi i strukturave të tij. Do të doja të ndalesha tek e para, pra aftësia jonë si popull për të ndërtuar shtet, pasi e dyta është një minierë balte së cilës asnjëherë nuk i gjendet fundi.
Autokritikat dhe automallkimet janë të shumta ndër ne shqiptarët dhe të sharit e vetvetes është një “sport” shumë i frekuentueshëm dhe ata që e ushtrojnë; më shpesh mbrohen duke vënë përpara Faik Konicën. Megjithëkëtë, ka një perceptim folkloriko-popullor, se “ne shqiptarët nuk dimë të bëjmë shtet”. Ka një tezë politike, se “shtet bëri Zogu në atë copë mbretëri që ndërtoi” e për këtë, edhe slogani politik i legalistëve në fushatë deri vonë ka qenë: “Ne bëjmë shtet”. Megjithatë ne duhet ta pranojmë se, edhe pse kemi institucione dhe paketa ligjore tashmë të unifikuara me ato të vendeve me demokracinë më të zhvilluar, ne nuk kemi një shtet funksional.
Përtej përkufizimeve për shtetin, do të doja ta thjeshtoja atë në tërësinë e institucioneve dhe njerëzve që përgjigjen për zbatimin e ligjit dhe normimin e jetesës në komunitet, për të garantuar që të gjithë të jenë të barabartë dhe të gjithë të respektojmë pronën, njëri-tjetrin, shoqërinë dhe mjedisin e përbashkët publik.
Askush prej nesh nuk ka nevojë për shembuj për të treguar se si funksionon shteti në Shqipëri, pasi në çdo hap që hedhim, përballemi me absurditete dhe në çdo koment që bëjmë, themi se “kjo nuk do të ndodhte në një vend tjetër ku funksionon shteti.”
Për fat të mirë, historia jonë nuk ka qenë gjithmonë rrumpallë. Por për fat të keq, në këto radhë do t’i referohemi një periudhe që duhej të ishte rrumpallë, por që nuk ishte aspak e tillë. Ka qenë koha e pushtimit fashist e më pas nazist të vendit, pra kohë lufte, dhe historia na ka mësuar se asokohe kishte vetëm partizanë që luftonin maleve kundër pushtuesve të huaj dhe tradhtarëve vendës. Pas ‘90-ës, historianët na mësuan se partizanët kishin luftuar më shumë me ballistët se me gjermanët, dhe se, më shumë se luftë nacional-çlirimtare, ajo kishte qenë një luftë civile dhe se partizanët nuk janë vrarë nga gjermanët, por nga ballistët. Megjithatë, kësaj teme duhet guxim i madh t’i qasesh, ndaj dhe politikanët kanë rënë dakord që çdo 28 ose 29 Nëntor, pavarësisht se kush dhe si u vranë, të shkojnë e vendosin lule në Varrezat e Dëshmorëve të Kordit.
Por ajo që ne nuk dimë është se si funksiononte shteti dhe pushteti asokohe. Më poshtë do të sjell disa fakte nga lajmet e gazetave të kohës dhe dëshmitë e atyre që ende rrojnë.
Në 5 Maj 1942, një dëshmitar, i intervistuar në emisionin “Exclusive”, për vrasjen e Qemal Stafës tregon: “Isha duke ecur me biçikletë, kur dëgjova krismat. Nuk u ktheva, pasi isha nisur tek centrali për të paguar faturën e dritave.” Të mendosh se ishte kohë lufte dhe ky banor i Tiranës po nxitonte të paguante në kohë faturën e energjisë. Sot, më shumë se gjysma e shqiptarëve nuk i paguajnë dritat. Madje statistika më e fundit tregoi se për vitin 2012, sasia e energjisë që nuk u pagua kapte vlerën historike të 300 milionë dollarëve. Duke rrëmuar nëpër arkiva, Artan Lame gjen një leje të Bashkisë së Shkodrës, lëshuar në vjeshtën e vitit 1943, kur “qeveriste” Gjermania. Quhej “Leje Kazani”, me të cilën një banor i qytetit ishte pajisur për të pasur të drejtë të ndizte zjarr në oborrin e tij, për të bërë raki nga rrushi i bahçes së tij. E mendojmë ne dot sot këtë rregull? Jo! Sepse të gjithë ndezin zjarr, jo në oborr të tyre, por edhe në sheshin “Skënderbej” po t’u teket. Sot askush nuk merr leje për të bërë, jo raki në bahçen e tij, por as edhe për të hapur punishte e fabrika, për të bërë raki rrushi pa rrush, por me alkool metilik që vret edhe njerëz.
Kolegu Elidon Tahiraj, duke rrëmuar në arkivat e shtypit, më tregonte copëza lajmesh të kohës: Në 1943-in, gazeta “Tomorri” njoftonte se Bashkia e Vlorës refuzonte të jepte leje për shtimin e kateve të treta të disa shtëpive në disa rrugë të qytetit, dhe bënte me dije se “nga sot e tutje asnjë kasolle dhe banesë tjetër nuk do të lejohet të ndërtohet në këto rrugë”. Sot treçereku i qyteteve janë ndërtime pa leje, e madje kryetari i Bashkisë së Tiranës legalizoi vetëm pak ditë më parë pallate me 12 kate, që lejen e kishin pasur për 7 kate. Në 1943-in, gazeta “Tomorri” shkuan: “Kontrolli i Higjienës në bashkinë e Tiranës njoftonte se kishte gjobitur 3 gjellëtore, 2 pijetore dhe një berber se nuk plotësonin kushtet higjenike.” Sot gjysma e lokaleve në Tiranë, pale në qytete dhe fshatrat e vendit, nuk kanë tualete, dhe njerëzit, pasi pinë e dehen, urinojnë si qentë pas pemëve, ose edhe tek Monumenti i Pavarësisë.
Historia na ka mësuar se pushtuesit na e shkatërruan vendin, por nuk na ka treguar se çfarë kishim ndërtuar ne, që na e shkatërruan ata. Gjithashtu, nuk na ka treguar se si funksiononte shteti nën këta pushtues, shtet të cilin ende nuk po e vëmë dot në binarë, edhe sot e kësaj dite kur Perëndimi po na qëndron mbi kokë. Është shumë e trishtueshme që, për mënyrën e funksionimit të shtetit dhe strukturave të pushtetit, t’i referohesh një periudhe siç është ajo e Luftës së Dytë Botërore. Jetojmë në një situatë ku kaotizmi zëvendëson ligjin dhe ku qeveria, në pamundësi për të zbatuar ligjet, thjesht i forcon ato, apo kur, për turp të tyre, institucione ligjzbatuese firmosin para kamerave memorandume mirëkuptimi për të zbatuar ligjet.
http://www.balkanweb.com/gazetav5/artikull.php?id=130535





