3shtator 2015 – Ekstradohet nga Gjermania Euxhen Muka, 30-vjeçari që akuzohet për vrasjen e një femre 4 vjet më parë. Ditën e sotme u bë transporti i tij drejt Rinasit. Një vit më parë, gjykata e Durrësit kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Mukën, duke e akuzuar atë për vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim me Lefter Keçin, 30 vjeç po nga Shijaku.

Ata akuzohen se kanë vrarë 33-vjeçaren Rolanda Kaja, nga Kavaja, në vitin 2011. Më 10 qershor, trupi i pajetë i gruas u gjet i hedhur buzë rrugës së Ishmit.

Euxhen Muka bashkë me Lefter Keçin, (ky i fundit i kapur në Itali dhe i ekstraduar më 13 shkurt të vitit 2014), akuzohen se ekzekutuan nënën e dy fëmijëve. Ata dyshohet se i kishin injektuar një sasi helmi, duke i shkaktuar vdekjen Kajës. Fillimisht u akuzuan të dy shijakasit. Më vonë Muka u lirua nga akuza, por ai u shpall në kërkim sërish, gati 3 vjet pas krimit, për shkak të gjetjes së provave të tjera. Tashmë, të dy personat do të përgjigjen për krimin e vrasjes me paramendim. Gjithçka mendohet se ndodhi për shkak të shumës 20 mijë euro që viktima thonte se ishin të sajat.

 

 Krimi

Sipas deklaratës së policisë në vitin 2011, krimi erdhi për shkak të një shume prej 20 mijë eurosh, e përfituar nga nëna e re në kushtet e prostituimit. Kjo shumë mendohet të jetë marrë nga Keçi, duke mos i dhënë atë që i takonte 33-vjeçares, çka mendohet se ka sjellë “bezdisjen” e të dashurit, Lefter Keçi, i cili ka kryer dhe rolin e tutorit. Kundërshtimi për t’i dhënë paratë e fituara nga Kaja, ka shtyrë së paku njërin prej të akuzuarve të marrë vendimin ekstrem, atë të ekzekutimit të vajzës me anë të intoksikimit të fortë ose me injeksion. Rolanda Kaja, 33 vjeçe nga Kryevidhi i Kavajës, është gjetur e vdekur në kanalin e rrugës Ishëm-Lalëz në mbrëmjen e 10 qershorit. Burime zyrtare të Policisë së Durrësit thanë se Rolanda Kaja prej një viti ishte e lidhur me Lefter Keçi, të cilit i kishte dhënë edhe një shumë prej 20 mijë eurosh, shumë e fituar me punën e saj të paligjshme. Gruaja jetonte në një apartament të marrë me qira në Durrës, ndërsa policia ka thënë se Lefter Keçi e ka shfrytëzuar atë në aktivitetin e paligjshëm.

/portali DurrësLajm/