Këngëtarja Silva Gunbardhi prezantoi në emisionin “Rudina”, këngën e saj të re, të titulluar “Nënoke”, dedikuar gjyshërve.
Për këtë këngë, Silva thotë se është frymëzuar nga jeta e përditshme, duke parë dashurinë e madhe që gjyshet i japin të birit.
Ajo ka rrëfyer edhe një detaj, për sa u përket xhirimeve të videoklipit të realizuara në në Gjirokastër, në shtëpinë e Çerçiz Topullit, ku ajo ka rrezikuar jo pak.
“Kam kënduar herën e parë në majë të çatisë. Nuk e kam rrezikuar jetën kot. Regjisori më thoshte: Shiko Silva kur të biesh, të mos biesh nga ana e pazarit se nuk të kemi më. Të paktën të biesh këtej, se të paktën një dorë, një këmbë ta rregullojmë. Gjithë kohës bërtisja nga frika, nga tmerri. Këndova në majë të çatisë, sepse mendoj se gjyshja është kulmi i një shtëpie. Për këtë arsye sakrifikova dhe hipa në majë të çatisë”, -ka rrëfyer Silva.





