Trajneri Silvinjo foli  në konferencën zyrtare për media në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Air Albania” në orën 20:45. 

Silvinjo tha se nëse skuadra jep 100% në fushë, mund të marrë rezultatin pozitiv. 

Tekniku brazilian vlerësoi ndër të tjera çekët, ndërsa tregoi edhe se si paraqitet gjendja në kampin e kuqezinjve.

Si e keni karikuar ekipin për nesër? – Fillimisht, dua të shpreh respektin për Ajetin, ka bërë dy kampionate europiane dhe si shumë prej lojtarëve tanë jep çdo gjë në fushë. Ka bërë një Europian shumë të mirë. Gjithmonë ndeshja e rradhës është më e rëndësishmja, edhe sikur të ishte e kundërta. Ndeshja e rradhës është shumë e rëndësishme. Ata kanë një avatazh me një pikë nga të gjitha ekipet e grupit. E kemi thënë që ky është një grup shumë i vështirë, jemi të gjithë afër me pikë, 7, 6, 4. Mund të ndodhë çdo gjë. Nesër duhet të hyjmë në fushë me 100%-shin tonë. Kemi mundësi nëse japim 100%, kemi publikun tonë. Avantazhi jonë është që luajmë në shtëpi. Ata kanë një pikë më shumë, ne kemi njerëzit tanë këtu. Ndeshja e nesërme është shumë e rëndësishme.

Ndeshja e nesërme ndaj Çekisë- E vërtete, është skuadra me të cilën kemi luajtur më shumë në këto dy vitet e fundit. Kemi humbur, barazuar dhe fituar ndaj tyre. Nesër mund të ndodhë gjithçka. Ata janë të fortë, janë një ekip fizik, e kemi thënë. Trajneri i tyre është shumë inteligjent, ka bërë 3-4 ndryshime, skuadra është pak më ndryshe, luan me 4 mesfushorë, ka një mesfushor tjetër në mesfushë, Sulk është një lojtar shumë i mirë, ka një tjetër mesfushor, Cerny, i cili i jep ekuilibër skuadrës. Hozlek, Provod, janë shumë lojtarë të fortë, fizikë. Ne duhet të shkojmë fort me lojën tonë, kemi cilësi teknike, organizim taktik. Por duke lënë mënjanë këtë, duhet të hyjmë në fushë me të gjitha këto dhe shpirt e zemër, pasi kjo mund të bëjë diferencën.

Sulmi – Duhet ta shohim, pasi kemi ende një stërvitje për të bërë. Kemi 2-3 lojtarë me probleme të vogla fizike. Uzuni nuk është një sulmues qendror tipik, një 9, do thoja më tepër një 8.5, sulmues i dytë, ka shpejtësi dhe sulmon shumë mirë në hapësirë dhe gjen mundësi shënon. Nesër do duhet të kuptojmë formacionin më të mirë për të luajtur kundër tyre. Kemi 2-3 mundësi, do t’i vlerësojmë nesër, pasi kemi 2-3 lojtarë që ndoshta nuk janë në 100%-in e tyre.

Ndeshja ndaj Çekisë? – Mbase 90 minutat që do luajmë nesër mund të bëjmë një nga ndeshjet më të mirë të vitit të fundit. Nuk është momenti për t’u ankuar, lojtarët janë në gjendje për të dhënë 100%. E kam thënë pas Europianit është periudhë e vështirë, kombëtaret kanë humbur lojtarë prej dëmtimeve, dhe Çekia ka lojtarë të dëmtuar. Lojtarët nuk kanë pasur pushime për t’u rikuperuar, unë jam i lumtur dhe kam besim te ato lojtarë që kam. Ne do futemi për të dhënë 100% tonë. Nuk ka frikë nga kundërshtarit apo ndeshja, hyjmë në fushë për të dhënë 100% tonë.

Lojtarët që rrezikojnë pezullimin për ndeshjen me Ukrainën? – Jam i shqetësuar vetëm për ndeshjen. Nuk ka rëndësi në këtë rast. Të gjithë duan të hyjnë në fushë dhe do të luajmë para 22 mijë tifozëve, pavarësisht se unë mendoj që janë më tepër. Do të jetë një ndeshje e bukur për t’u shijuar. Jam i bindur që lojtarët do të hyjnë në fushë dhe nuk do të mendojnë gjë tjetër. Duhet të bëjmë maksimumin. Jam i bindur që lojtarët presin me padurim të hyjnë në fushë, kemi njerëzit tanë, mbështetjen e gjithë kombit. Shumë e bukur. Sa i përket faktit që kam edhe unë karton, më shqetëson edhe më pak.

Si e shikoni Çekinë në krahasim me edicionin e kaluar? – Nesër është ndeshje ndryshe nga ajo e edicionit të kaluar. E tha edhe Ajeti që çdo ndeshje është ndryshe nga tjetra. Pak kohë më parë humbëm në Pragë. Është ndryshe ndeshja e nesërme. Mua më duket se janë ndeshje që vlerësohen detajet. Duhet kujdes në çdo moment për të bërë një ndeshje të bukur, një nivel përqendrimi të lartë, kërkon anën fizike, taktike, por të kërkon më shumë në nivel përqendrimi. Kemi luajtur 3 ndeshje me ta, praktikisht është një derbi, por nuk ka lidhje, nesër është ndryshe. Do të shkojmë fort në fushë dhe të provojmë gjithçka, do të japim 100%.

Reagimi pas pësimit të golit? – Zakonisht ndodh me të gjitha skuadrat, 4-5 minutat e para ai “black-out”.  Këtu bën diferencën eksperienca dhe fusha. Është e rëndësishme që pasi pëson gol të qetësohesh dhe pastaj të rinisësh lojën. Kam qenë lojtar i trajnerëve të rëndësishëm. E kam kuptuar më vonë që kanë të drejtë trajnerët sepse krijohet ideja që duhet të rikthehesh fuqishëm pasi pëson gol, por është momenti për të pritur dhe për të menaxhuar lojën. Kemi vuajtur gjatë Europianit.

Uzuni? – Uzuni bën më shumë rolin e sulmuesit të dytë. Kam mësuar në lidhje me cilësitë e një sulmuesi si Uzuni në shkollën te Coverciano, i shpejtë, që rri pas sulmuesit të parë dhe që krijon hapësira për të shënuar. Ekziston mundësia për të shfrytëzuar karakteristika e lojtarit në këtë aspekt. Ju kujtoj se e ka nisur si sulmues anësor dhe më pas duke depërtuar më tepër brenda. Ka fizik shumë të mirë, por ngelet për t’u vlerësuar çfarë do zgjedhim nesër.