Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi kërkon rikthimin.Pasi në politikën e brendshme nuk ka mundur të gjejë ende hapësirat e duhura, ai po i kthen sytë tani nga zgjedhjet europiane.
Ai ka deklaruar se do të kandidojë në zgjedhjet e majit për Parlamentin Europian, sepse do të luftojë për një BE më të bashkuar, besnike ndaj vizionit të themeluesve të bllokut.
Berlusconi foli në një konventë të partisë së tij të qendrës së djathtë, “Forza Italia”, që vitet e fundit ka njohur një rënie të mbështetjes, pasi votat i kanë shkuar partive të djathta euroskeptike dhe me mesazhe antiemigrantë, veçanërisht “Lega Nord”-it.
“Me politikat e saj të kursimit, burokracitë e saj, kufizimet e shumta që u janë vendosur shteteve, paratë që u merren shteteve dhe shpenzohen keq…Europa duhet të ndryshojë, e për ta ndryshuar atë, aleancat duhen ndryshuar”, tha Silvio Berlusconi, president i “Forza Italia”.
Në një tubim të mbajtur në Romë, me rastin e 25-vjetorit të partisë së tij, Berlusconi tha se, pavarësisht moshës së tij të thyer tashmë, ai do të hynte në zgjedhjet europiane.





