Logoja e re e Bibliotekës së Durrësit, e punuar nga studentët Arlind Deveja dhe Endri Jani dhe e prezantuar në muajin dhjetor të vitit të kaluar ndërthur në vetvete elementë të historisë së qytetit tonë si dhe të simbolikës universale të dijes. Logo paraqitet e ndarë në dy gjysma: e shkuara dhe e ardhmja.

E shkuara e lashtë dhe e ndritur e qytetit tonë shfaqet në gjysmën e poshtme të stemës dhe simbolizohet nga elementi i kolonave të cilat janë zgjedhur nga të tre tipet arkitekturore për të nënkuptuar lidhjen që kishte Epidamnus me Romën Antike (që përfaqësohet nga kolona Korinthiase), me Helenët (që përfaqësohen nga kolonat Dorike dhe Jonike) dhe rëndësinë që ai mbarte si një pikë lidhjeje ndërmjet këtyre kulturave, gjë kjo e dokumentuar edhe në zbulimet arkeologjike. Një tjetër element është litari, që simbolizon lidhjen që ka qyteti ynë me lundrimin që nga kohët e lashta e deri më sot. Përtej simbolikës historike këto elemente mbartin dhe simbolikën universale; bukurinë (kolona korintase), forcën (kolona dorike), diturinë (kolona jonike).

Litari nga ana tjetër simbolizon lidhjen e bashkëpunimin. Për të çuar përpara këtë sipërmarrje që e kemi trashëguar ndër shekuj, nuk mjafton vetëm vullneti dhe dëshira e stafit të Bibliotekës, por kërkohet bashkëpunim dhe mbështetje nga çdo qytetar i qytetit të Durrësit.

Eardhmja përfaqësohet nga pjesa e sipërme. Në të dallohet një libër i hapur, i cili emeton dritë. Dritë të cilën çdokush e merr nëpërmjet shfletimit të faqeve të librave.

Ngjyra e florinjtë (që është përdorur në rrezet diellore) nënkupton humanizmin që formohet duke lexuar. E parë në një këndvështrim tjetër libri ngjason si një pulëbardhë, e cila simbolizon lirinë e mendimit dhe të drejtën  për informacion që ka kushdo. Stema është vendosur në formë rrethi për arsye të perfeksionit që ai nënkupton përpos kësaj një risjellje në jetë e Rrethit te Sokratit. Qendra e Stemës ështe hapja e librit, sepse nga ky veprim tepër i thjeshtë arrin të hapësh dyert e ndriçimit.