·         Një portret që ka pushtuar pikturat më të famshme të Rilindjes Italiane. Simonetta Vespucci – gruaja më e bukur dhe më e admiruar në Firence.

DURRËS, 23 tetor 2014– Imazhi i Simonetta Vespucci –t është absolutisht njëra ndër modelet më të spikatura në pikturën italiane. Ajo identifikohet me Venusin në tablotë “Primavera” dhe “Lindja e Venerës”. Fytyra e saj u përjetësua pikërisht nga piktori i mirënjohur i Rilindjes Italiane Sandro Botticelli. Dhe poeti – anëtar I akademisë neoplatonike, Lorenci il Magnifico i dedikoi vargje bukurisë së saj, teksa  një tjetër piktor Piero di Cosimo, kishte pikturuar portretin e Simonetta Vespucci-t, në të cilin ajo shfaqej e veshur si Kleopatra me një nëpërkë që duket si varëse rreth qafës së saj.

Bukuroshja e Rilindjes ka lindur si Simonetta Cattaneo de Candia në vitin 1453 (historianët nuk pajtohen në lidhje me vendin, nëse është Genova apo Portovenere). Të dhënat e pakta biografike na tregojnë se kur ishte 15 vjeç, ajo u martua me Marco Vespuccin, pinjoll  i njërës prej familjeve më të pasura, aleatët e Medicit. Ekziston një legjendë shumë romantike që lidhet me Simonetta Vespuccin. Në kronikat  e kohës, ajo  konsiderohej nga bashkëkohësit e saj, si  gruaja më ë bukur dhe me të ra në dashuri Giuliano de Medici.  Rreth  fundit të shekullit të pesëmbëdhjetë, ai u vendos në Firence, së bashku me vëllanë  e tij Lorenzo il Magnifico.

Teksa Lorenzo ishte i zënë duke shtrënguar frerët e politikës së qytetit, Giuliano impenjohej në gara të ndryshme për të fituar dashurinë e Simonettës. Mori pjesë në një turne, ku spikaste flamuri i tij, në njërën anë të të cilit, ishte pikturuar në kanavacë nga Botticelli, portreti i Simonettës, kurse nga ana e pasme e këtij flamuri lexohej diçitura: “ njëra dhe e vetmja."

Midis dy të rinjve lindi shkëndija e dashurisë që nuk pati asnjë të ardhme: Giuliano u vra, ndërsa vajza vdiq nga tuberkulozi në moshën 22 vjeçare.

/g.b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/