Ashpërsohet beteja brenda Partisë Demokratike. Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli nuk po e përtyp dot largimin e saj nga lista e deputetëve, dhe ka zgjedhur të mos ndalë sulmet ndaj kryetarit të PD-së Lulzim Basha. Mbështetësit e Topallit në Shkodër janë udhëzuar që t’i prishin fushatën Lulzim Bashës në këtë qark.

Sipas burimeve, kandidatët për deputetë të PD-së në Shkodër, gjatë fushatës elektorale dhe takimeve me qytetarët, përplasen me mbështetësit e Topallit deri edhe duke ia prishur aktivitetet me qytetarët, raporton gazeta “SOT”. Simpatizantët e ish-kryeparlamentares indimidojnë kandidatët, duke i ofenduar se ata nuk janë asgjë përpara Topallit dhe se vetëm ish-kryeparlamentarja ia sjell fitoren Shkodrën. Sipas burimeve, në disa raste, situata është tensionuar derisa ka rrezikuar të degjenerojë në dhunë. Kudo që kandidatët për deputetë ndalen për të bërë fushatë, ata përballen me simpatizantët e Topallit. Fyerjet e tyre vijojnë deri aty saqë u thonë kandidatëve, se ata nuk kanë mbështetje në Shkodër dhe nuk duhet të ishin në listën e deputetëve. Ata ndërhyjnë gjatë komunikimeve me qytetarët, duke e përdhosur fushatën elektorale.

Mbështetësit e Topallit nuk po angazhohen aspak në fushatë elektorale dhe qëllimi i tyre është që PD-ja në Shkodër të dalë humbëse. Ata nuk do të marrin pjesë në procesin e votimit më 25 qershor, dhe kanë udhëzuar miqtë dhe të vetët ta bojkotojnë ditën e votimit. Sipas burimeve, ka patur zëra që mbështetësit e Topallit të pengojnë procesin e votimit, në mënyrë që qytetarët ta bojkotojnë në masë Lulzim Bashën. Ata synojnë t’i japin një mësim të mirë Bashës, se pa Topallin Shkodra nuk fiton.

Kandidatët përplasen me mbështetësit e Topallit

Çdo ditë kandidatët pyeten nga simpatizantët e Topallit, se pse ajo nuk është në listë. Romeo Gurakuqi, kandidati i parë në listë, teksa po takonte tregtarët shkodranë në pedonalen e qytetit është përballur me një situatë të pazakontë. Gurakuqi ka takuar çdo tregtar për të prezantuar alternativën e tij dhe të Republikës së re të Lulzim Bashës, por tregtari i parë që takoi, e ka pyetur rreth arsyes se pse Jozefina Topalli nuk është në listën e Shkodrës.

Ai e ka devijuar këtë pyetje me tregtarin në pedonale dhe ka shkuar te tregtari i dytë, ku u prezantua si i pari i PD në Shkodër. Për fatin e keq të tij ka hasur të njëjtën pyetje edhe nga tregtari i dytë. Edhe kandidati Bardh Spahia është përballur me po të njëjtën situatë. Ai është përballur me një biznesmen, që i thotë se Topalli bëri pedonalen e Shkodrës e shumë të tjera. 

“Je djali i mirë boll, je djali i kujt je, por Jozefina ash se nuk mund të zëvendësohet. Nuk mundet me e zëvendësu kush, kush e zëvendëson? Po tana mo kto që janë ba, tana këto rrugica dhe rrugë, po Jozefina t'i ka kthy këto. Mos me pa kenë Jozefina, kishim ken hala tu u myt lopa në asfalt”, i thotë tregtari, Spahias. Kandidati i thotë se ai e ka mbështetur Topallin si shkodrane, por tani ai është në listë dhe për këtë mban përgjegjësi Basha.

/SOT/