Tiranë, 5 mars 2014 – Një biznesmen vlonjat rezulton të jetë i implikuar me bandën e bombave C4, pasi dyshohet që përmes Andon Erjon Mëhillajt, ka porositur të dyshuarin si vrasës me pagesë, Julian Sinanajn, të ekzekutojë J. Metushajn, një eksponent i njohur në qytetin e Vlorës. “GSH” ka mundur të sigurojë nga dosja hetimore, masën e sigurisë ndaj të dyshuarit Marjon Mitro, në përmbajtje të së cilës dalin në dritë prova dhe fakte për përfshirjen në bandën e “bombave C4” edhe të biznesmenit me emrin Ardi, i cili edhe pse i identifikuar nga prokuroria për Krime të Rënda, nuk është vënë në pranga. Në dosjen e prokurorisë hidhet dritë dhe mbi detaje të vënies së eksplozivit në shtëpinë e Ardian Kollozit, kandidatit për deputet të Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës dhe njëkohësisht kryetar i PD-së në këtë qark. Ndër të tjera, aty thuhet se para derës së apartamentit ku banonte Kollozi është vendosur një sasi prej 600 gramë tritol dhe se dëmet e shkaktuara nga shpërthimi kapin shifrën e 8.3 milionë lekëve. 

Mandej, zbardhen pjesë të dëshmisë së Julian Sinanajt, i cili drejton gishtin drejt Marjon Mitros, si porositës i lëndës eksplozive që u zbulua në makinën e prefektit të Qarkut Vlorë, Besnik Dervishi. Sinanaj u ka rrëfyer hetuesve për këtë rast, se me Mitron ka komunikuar përmes e-mailit dhe pasi e ka prodhuar minën me telekomandë, ia ka dorëzuar 42-vjeçarit. Kjo minë, këmbëngul Sinanaj, është pikërisht ajo që u zbulua në makinën e prefektit Dervishi. Sipas prokurorisë, fakti kriminal për të cilin dyshohet Mitro cilësohet si “vepër me qëllime terroriste” në dëm të prefektit Besnik Dervishi, me qëllim përhapjen e panikut në popullatë, për të sjellë shkatërrimin serioz të pronës private në përmasa të mëdha, duke rrezikuar jetën e personave të tjerë. Gjithashtu, Sinanaj shprehet se me ndërmjetësimin e Andon (Erjon) Mëhillaj ka marrë porosi nga Mitro dhe një biznesmen me emrin Ardi për të ekzekutuar një eksponent të njohur të krimit në Vlorë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/