Sindikatat e Arsimit nga i gjithë vendi, ky 1 Maj i gjeti në protestë para Ministrisë së Arsimit. Ata ngritën një sërë shqetësimesh që lidhen me pagat e ulëta të mësuesve, mosmarrjen e pagës së 13-të, por dhe mbi cilësinë e arsimit.
Kritika patën edhe lidhur me reformat në arsim, për të cilat sipas tyre nuk është marrë mendimi i mësuesve.
Në MAS, sipas tyre, po shkatërrohen tekstet, po dalin tekste që janë me vulgarizma dhe gabime shkencore dhe po shkatërrojnë arsimin dhe cilësinë e tij.
Kryetarja e Sindikatës së Pavarur të Arsimit në Tiranë, ngriti shqetësimin e presionit ndaj mësuesve nga drejtorët politikë, por nuk mungoi dhe thirrja për t'i dhënë fund importit të Ministrave.
"Ministre boll mashtruat me reformat tuaja, janë të dështuara. Përfshini mësuesit në reformat tuaja, boll kopjuat shtetet e zhvilluara. Prej vitesh presim premtimet tuaja të pambajtura lidhur me pagat dhe buxhetin në arsim. Gjithë mësuesit janë të frikësuar për vendet e punës, sepse me Drejtorët politikë vetëm presione shohim në shkollat tona. Kemi 6 vite që na mohoni shpërblimin e fundvitit. Nëse do të kemi një arsim cilësor do të kemi një të ardhme, po vrasim të ardhmen. Ju ftojmë të zhvilloni reforma duke përfshirë mësuesit. Boll me Drejtorë politikë dhe Ministra të importuar, kemi kuadrot tona. Boll me figura të paprovuara", u shpreh Alma Lama.





