Për disa njerëz, ngrënia me kujdes pakëson shenjat e SZI-së. Përpara se të ndryshoni dietën, mbani shënim ushqimet që ju shkaktojnë shqetësime, pastaj këto diskutojini me doktorin tuaj.
Ju mund të kontaktoni një mjek dietolog i cili do t’ju ndihmojë të bëni ndryshimet në dietë. Për shembull, nëse produktet e qumështit shkaktojnë rëndim të simptomave, mund të përpiqeni t’i konsumoni sa më pak ato. Ndoshta mund të toleroni më mirë kosin se sa produktet e tjera të qumështit, sepse ai përmban bakterie që furnizojnë enzimat të cilat nevojiten për të tretur laktozën raporton Shendeti.
Qumështi dhe produktet e tij janë burim i rëndësishëm i kalçiumit dhe vlerave të tjera ushqyese. Në qoftë se ju nevojitet të shmangni produktet e qumështit, sigurohuni që të merrni vlerat e duhura ushqyese nga dieta juaj ose merrni shtesa në formën e tabletave. Në shumë raste, dieta e pasur me fibra mund të lehtësojë dhe pakësojë shenjat e SZI-së, në veçanti të kapsllëkut, por nuk mund të ndihmojë në uljen e dhimbjeve ose pakësimin e diarresë. Buka me krunde, drithërat, frutat dhe perimet janë burim i mirë i fibrave.
Dieta e pasur me fibra ndihmon në mbajtjen e zorrës të relaksuar duke ndihmuar kështu në parandalimin e spazmave. Disa lloje fibrash ndihmojnë në zbutjen e materialeve fekale, duke thithur ujin në zorrë, dhe janë shumë të lehta për jashtëqitjen. Doktori zakonisht rekomandon dietë me fibra për të pasur një jashtëqitje të lehtë dhe pa dhimbje. Duhet përmendur që dieta e pasur me fibra shkakton shtim të gazrave dhe fryrje barku edhe pse shumica e pacientëve tregojnë që këto shenja zhduken brenda një jave.
Prija e 6-8 gotave të mëdha me ujë në ditë është shumë e rëndësishme, veçanërisht nëse jeni me diarre. Konsumimi i lëngjeve të gazuara mund të shtojë gazra dhe ndjenjën e parehatisë. Përtypja e çamçakëzëve dhe ngrënia e shpejtë mund të bëjë të mundur gëlltitje të ajrit, i cili shkakton shtimin e gazrave. Ngrënia e vakteve të mëdha mund të shkaktojë dhimbje të forta barku ose diarre, prandaj konsumoni vakte të vogla dhe të shpeshta të cilat mund të ndihmojnë në lehtësimin e SZI-së.
Mund t’ju ndihmojë gjithashtu edhe ngrënia e vakteve me pak yndyrna dhe të pasura në karbohidrate siç janë makaronat, orizi, buka me krunde, drithërat, frutat dhe perimet.