Shifrat e të prekurve nga koronavirusi në Itali kanë pësuar një ulje të lehtë 24 orët e fundit.

Mediet italiane raportojnë se janë 49.818 të sëmurë nga koronavirusi në Itali, 3.180 më shumë sesa të dielën, ndërsa numri i të vdekurve ka arritur në 6.077 persona, 601 më shumë se një ditë më parë. Numri i të vdekurve është pak më i vogël sesa ai i ditës së fundit të javës që sapo lamë pas, pasi të dielën numëroheshin 651  të vdekur.

Lombardia mbetet rajoni më i goditur nga koronavirusi, por me shifra pak më të ulta. Për herë të parë që nga nisja e situatës kritike në veri të Italisë, shifrat e rajonit më të zhvilluar të vendit fqinjë duket se po japin sinjale shprese. Sipas autoriteteve italiane, mesa duket po duket dritë në fund të tunelit.

Mësohet se 7423 persona janë shëruar nga koronavirusi në Itali, 408 më shumë sesa të dielën. Ndërkohë në total që nga dita e parë e shfaqjes së koronavirusit në Itali, numri i personave të prekur është 63.927.

Të dhënat janë bërë publike nga komisari Angelo Borrelli, gjatë konferencës për shtyp nga selia e Mbrojtjes Civile.