Dejvi Bregu do të jetë pjesë e Teutës edhe për ndeshjet e Ligës së Kampioneve, por më pas e ardhmja e tij nuk është e qartë. Kontrata e vlonjatit përfundon dhe kësisoj mbetet për t’u parë nëse do të rinovojë ose jo me klubin durrsak apo do të shikojë për një mundësi jashtë Shqipërisë.
Edhe në verën e vitit të kaluar, Bregu ishte një hap larg transferimit në Poloni, por në momentet e fundit gjithçka u prish dhe nga kjo përfitoi Teuta.
Mësohet se në javët e fundit ka pasur sinjale nga klube franceze për vlonjatin dhe një prej tyre ka qenë Shatoru në Ligën e Dytë. Mirëpo, kjo mundësi e artë duket sikur është zbehur për faktin se kjo skuadër zbriti nga Liga 2.
Megjithatë, për të ardhmen e Bregut në territorin francez gazeta zbulon se po punon ish-lojtari i Kombëtares shqiptare, Edvin Murati.
Ky i fundit prej vitesh udhëheq një kompani menaxhimi bashkë me vëllanë e tij dhe pas aventurës së Bregut në Champions me Teutën, gjasat janë që të transferojë fantazistin në një ekip francez.





