Nga Anila Hoxha

A keni qenë përdorues i aplikacionit Enchrochat?

A keni qenë përdorues i aplikacionit SKY ECC?

A keni pasur akses apo zotërim të një telefoni të enkriptuar në aplikacionin Enchrochat dhe SKY ECC?

Këtyre tre pyetjeve nga 1400 efektivë në Gardën e Republikës dhe përmbi 10 mijë Policë në Policinë e Shtetit, së paku deri më tani rezulton se ju përgjigj me “ po “, vetëm një person. Ai është oficer i gardës në Presidencë.  Formulari që ju shpërnda si një nismë e  Ministrit të Brendshme për të vetë pastruar radhët nga të inkriminuarit dhe të korruptuarit, është pjesë e lëvizjes së radhës për të hequr nga shporta mollët e kalbura, në organizatën që sot për sot është më e diskutueshmja mbas fashikujve të sjella nga partnerët për komunikime nderesh mes policësh e kriminelësh

Ky nuk ishte një mutacion që ndodhi brenda natës.

Perceptimi negativ për shitje operacionesh nga vetë policia më saktë nga zyrtarët e saj, arriti pikën e zezë gjatë kohës  që u denoncua si kanabizimi i vendit. Shitja e operacioneve, më pas një krim tjetër e një tjetër do të thoshte blerje e individëve të caktuar në polici. PO!

Më pas, në kohën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë Ard Veliu, metastaza u konfirmua e pashërueshme. Zyrtarët e saj, ca shefa komisariatesh, krimesh , drejtore drejtorish e departamentesh pasuritë e të cilëve nuk u hetuan asnjëherë seriozisht  shfaqeshin podiumeve duke ekspozuar lavdinë e aksioneve ndaj shkelësve të  ligjit të parëndësishëm. Tek – tuk RENEA lëshohej e dëshpëruar, por fuqiplotë qytet më qytet, duke shtrirë barkaz individë që nuk ishin në top listën e atyre që qytetarët e dinin se kush bënte ligjin, me ndarje territoresh deri tek tenderat. Në asnjë rast nuk qe Ervis Martini, apo Talo Çela, apo Suel Çela e të tjerë. Edhe ata që  u arrestuan si Nuredin Duman,  Erjon Alibeaj, dhe Bajrat u desh shumë kohë, e prapë dhe ata kishin ndihmësit e tyre në polici. Këtë e provuan dosjet !

E zakonshmja qe që nuk kishte me aksione sekrete, por operacione “ ik se të kapa”.

E zakonshmja qe që ata zbatuesit e ligjit , dukshëm nuk ishin në në krahun e sigurimit të rendit dhe qetësisë publike për qytetarin . Ekziston një hendek i madh midis shefave dhe policëve. Jo për shkaqe hierarkie, por sepse shefi , drejtori u bë aq i fuqishëm sa u kthye në një tagrambledhës qe shfrytëzon agjentin për gjasme arrestime që do të thotë më shumë lekë për shefin, për gjasme bllokim makinash dhe gjobash që prapë do të thotë më shumë para për shefin. Ose influencë për shefin e zonës kur banorët ankohen për atë bosin e vogël biznesmen që ndërton nga hiçi por nuk arrestohet

Dhe ky polic u kthye në një qyqar të shefit që i kërkohej normë  gjobash dhe shoqërimesh të qytetarëve atëherë kur ai nuk paguante energjinë, nuk vinte rripin e sigurisë, ndërtonte një  mur pa leje e të tjera.

Dhe në këtë klimë shefash që u radhiteshin dekoratat në kraharor, jo për meritë; edhe vettingu nuk bëri asgjë.

Disa prej këtyre shefave/ drejtorëve/ agjentëve me perceptim shumë negativ tek qytetarët si të inkriminuar dhe të korruptuar, disa prej tyre pa certifikatë sigurie e megjithatë vazhdojnë në detyrë, ndodh që merren me qimen që I bie mbi uniformë atje në rreshtore policit të thjeshtë. Por  në realitet vetë këta kanë pushuar së qeni policë. Fatkeqësi për një polic, por akoma më shumë tragjedi për ne

Në këtë panoramë,  mes të dhënave se në fashikujt e sjella nga francezët ka edhe të tjerë , nga të gjitha fushat por sidomos nga policia, prokuroria  dhe  gjykata, në formular u firmos ‘ jo’ . Jo u përgjigjën , s’kemi patur aplikacione të tilla. Në  fakt ‘gjyqi”që nis më pas do të jetë , me kë ke folur nga të dyshimtët në këto aplikacione

Dhe , më mes të kësaj hipokrizie  u përgjigj me “po” vetëm njëri ndër ta, një nënoficer, me detyrë trupë shërbimi në objektin e rëndësisë së veçantë. Presidencë.

Adnan Lleshaj , 36 vjeç, i diplomuar për juridik kishte hyrë në Gardë gjatë vitit 2015. Në një rast ai kishte raportuar se i kishin vjedhur llogarinë e Facebookut dhe e kish shprehur shqetësimin jo vetëm mes truprojave të personaliteteve të larta që i kishte shokë e kolegë. Por kishte bërë dhe atë zgjidhjen që pret rezultat duke denoncuar. Ndonjëri pat komentuar sinqeritetin e tepruar të nënoficerit nga Mirdita që e konfirmoi se ishte bash ashtu me rastin e raportimit mbi aplikacionin Enchro dhe SKY, të kthyer në bela për shumë zyrtarë policie kryesisht shefa, gjyqtarë dhe prokurorë dhe ish prokurore që rezulton dhe dyshohet se flisnin lirshëm me eksponentë të krimit, duke i bërë nder ndonjë biznesmeni dhe të fuqishmi.

Ndonjëri ndër ta duke sinjalizuar për operacionin sekret që pritej të ndodhte. Ndonjëri duke hapur shtegun e arratisë për të shumë kërkuar që nuk arrestoheshin asnjëherë.

Metamorfoza nxori sheshit, biseda kriminelësh që tregtojnë drogë sikur të shisnin çokollata, oficerë policie që tradhtonin detyrën, ligjin dhe kolegët me aleanca të kërkuarish që nga ana tjetër i paguanin e shpërblenin, vazhdimisht me para e ndonjëherë me kostume firmato dhe pushime.

Fare pak prej tyre kanë dalë. Një shef krimesh Dedan Gjoni, shefi i Operacionales Oltion Bistri, prokurori  Xhevahir Lira apo ish shefi , babai i djalit trafikant kokaine apo burri avokat i nevrikosur me gruan. Të tjerët presin duke fituar kohë, si fillim formulari i tyre është i bardhë. Por a pret koha që këta individë të qëndrojnë ende në Polici?