Sajmir Hidri, sipërmarrësi shqiptar i dëbuar nga Italia si person i rrezikshëm për sigurinë në vend, pritet që së shpejti të bëjë një ankesë në Gjykatën e Strasburgut mbi pavërtetësinë e kësaj akuze, kështu ka bërë të ditur “Estense.com”, media lokale e provincës së Ferrarës.  

Media i referohet parlamentarit shqiptar të Partisë Socialiste, Parid Cara, i cili para se të bëhej deputet në Shqipëri jetonte në këtë territor dhe e njeh. Po sipas medias italiane, deputeti Cara ka deklaruar se “është shumë i surprizuar. Të gjithë e njohin Sajmirin si njeri serioz e mjaft punëtor. Më vjen keq që një bashkëatdhetar i imi përshkruhet në këtë mënyrë e deri sa nuk është i dënuar nuk duhet të gjykohet si fajtor. Aq më tepër për motivet se Sajmiri nuk ka pasur asnjë rol në komunitetin islamik të zonës, por ka qënë vetëm një frekuentues i Qëndrës Islamike të Ferrarës”.

Sajmiri, thotë deputeti Cara, “vetë më ka treguar se 4 muaj më parë, forcat e rendit i kanë bërë kontroll në banesë e në kompjuterin e tij por nuk kanë gjetur asgjë.”

Sipas deputetit Cara “nuk përjashtohet një ankesë në Gjykatën e Strasburgut, pasi familja e Sajmir Hidrit dhe avokati i tij janë të bindur se ai nuk ka të bëjë fare me tërë këtë histori.”

Sajmir Hidri ka të drejtë gjithashtu që brenda 30 ditëve të prezantojë ankesën e tij në Gjykatën Administrative të Rajonit të Lacios.

Motivet e pavërteta për dëbimin e Sajmir Hidrit nga Italia si rrezik për terrorizmin në vend i referohen letrës së nënshkuar nga vetë Ministri i Brendshëm Alfano ku mes të tjerash sipërmarrësi shqiptar identifikohet si President i Qëndrës Islamike të Ferrarës.

Por President i kësaj Qëndre është marokeni Murshad Osama, i cili ka deklaruar se “Hidri nuk kishte asnjë rol drejtues në këtë qëndër e nuk ka mbajtur asnjëherë asnjë fjalim publik apo leksion fetar në të”.

Sipas kreut të Qëndrës Islamike të Ferarës, Sajmri Hidri e frekuentonte Qëndrën Islamike vetëm prej pak kohësh e si sipërmarrës ndërtimi kishte kryer disa punime në të.”

Mbi dëbimin e sipërmarrrësit shqiptar Hidri është shprehur dhe Barbara Paron, kryetarja e Bashkisë së komunës së Vigarano Mainarda ku ai jeton prej shumë kohësh me familjen e tij.

Sipas saj “Hidri nuk ka shfaqur kurrë sjellje të dyshuara apo fjalë të thëna pa vend.”

Në letrën e Ministrisë së Brendshme italiane në të cilën është firmosur dhe dekreti i dëbimit të sipërmarrësit shqiptar mes të tjerash thuhet se “ai ka hyrë në një rreth marrëdhëniesh me subjekte të njohur për pozicionet e tyre fetare, radikale në favor të xhihadit, disa prej të cilëve janë të dëbuar nga Italia për rrezik terrorizmi.

Gjithashtu sipas Ministrisë së Brendshme italiane “Hidri ka mundur të ngjitet në krye të drejtimit të Qëndrës Islamike të Ferrarës duke u bërë dhe President i saj me qëllim për të favorizuar një praktikë fetare më të rreptë dhe me trajta fanatizmi.

Rrugëtimi i radikalizimit të sipërmarrësit shqiptar e ka çuar në një konsultim frenetik online si dhe shpërmdarje të materialeve të lidhura me ISIS, duke manifestuar dhe mospranimin e tij me gjithçka që dallon me botën e kulturën Perëndimore.”

Sipas dekretit të Ministrisë së Brendshme italiane “Sajmir Hidri është një person i rrezikshëm për sigurinë e vendit e që prej vitit 2014 kishte ndryshuar në mënyrë drastike stilin e tij të jetës duke nisur të respektonte rreptësisht parimet e Kuranit.”

Shqiptari Sajmir Hidri jeton prej vitit 2002 në komunën e Vigarano Mainarda në provincën e Ferrarës.

Është pronar i shoqërisë së ndërtimit “Alba Costruzioni 1999”.
Sajmir Hidri është i martuar me 3 fëmijë, 2 vajza e një djalë.
Gruaja e tij nuk është e mbuluar me veshjen myslimane e punon si nëpunëse në këtë zonë.

Aktualisht familja e Sajmir Hidrit po kalon pushimet e verës në Shqipëri.