Një 50-vjeçar italian në Firence është vrarë me thikë nga një shqiptar pas një sherri mes të dyve.

Viktima Tommaso Dini, i cili kishte në pronësi një agjenci të vogël imobiliare, u godit me thikë nga 47-vjeçari shqiptar i quajtur Ilir Leba, raportojnë mediet italiane. Ngjarja ka ndodhur në Itali në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Italiani mbeti fillimisht i plagosur me 3 goditje thike në gjoks dhe u dërgua në spital, por fatkeqësisht ndërroi jetë disa orë më vonë.

Pas ngjarjes shqiptari u arratis, por u kap më vonë nga karabinierët dhe u arrestua. Autoritetet italiane po hetojnë për vrasje me dashje.

Bazuar edhe në deklarimet e dëshmitarëve, fillimisht ka patur një sherr me tone të larta mes viktimës dhe autorit të dyshuar. Më pas 47-vjeçari shqiptar nxorri thikën dhe e goditi në gjoks.

Mediet italiane raportojnë se Ilir Leba së bashku me vëllanë e tij kanë një kompani ndërtimi në shtetin fqinj. Dyshohet se mes tij dhe 50-vjeçarit italian ka patur konflikte të hershme pune, por këto janë pista paraprake hetimore.