Kreshniku dhe Ermali, dy të rinj nga Tropoja, ishin dy të ftuarit e radhës të kryeministrit Edi Rama në episodin 13 të Sezonit 2 të Podkastit “Flasim”.

Ky episod kishte të ftuar këta dy të rinj, të cilët janë sipërmarrës të agroturizmit “Chestnut Hill”, që kryeministri i cilësoi pararojë e hapjes së shtegut të turizmit malor në Tropojë.

Gjatë bisedës me to, kryeministri shprehu bindjen se turizmi malor i klasit të lartë në Shqipëri do të jetë padiskutim si një Zvicër e Austri.

“Ju jeni nga një prej zonave më magjepsëse të Shqipërisë që për fat të keq për shumë vite është perceptuar si një zonë ku nuk duhej shkuar sepse vinin shumë rreziqe. Tani ju keni ngulur aty flamurin e ëndrrave dhe shpresave tuaja pikërisht në ‘Kodrën e gështenjave’.

Investimet e luksit që sjellin konsumatorë real të lartë nga pikëpamja e shpenzimeve dhe që rrisin fuqishëm ekonominë lokale dhe stimulojnë ekonominë kombëtare dhe ju jeni dallëndyshja e parë në atë zonë”, tha Rama.

Sipërmarrësit u shprehën se përveç bujtinës me 13 dhoma e restorant ata synojnë të ngrenë edhe linja përpunimi për të futur më shumë produkte shqiptare.