Sirena turke për Sherif Kallakun. Talenti i Teutës pëlqehet nga skuadra e madhe e Superligës turke Trabzonspor, drejtuesit e së cilës e kanë ndjekur nga afër Kallakun në disa ndeshje të kampionatit por edhe në sfidën e përfaqësueses Shpresa ndaj Turqisë disa muaj më parë.

Për Kallakun ka shfaqur interes edhe Antalyaspor, megjithatë Teutës do t’i interesonte që lojtari të transferohej te Trabzonspor pasi bëhet fjalë për një klub më të madh dhe më të fuqishëm ekonomikisht që mund të kënaqë edhe kërkesat e durrsakëve.

Zbuluesit e talenteve të Trabzonsporit pritet të jenë në stadium edhe në datën 7 qershor në takimin e kthimit mes Turqisë U-21 dhe Shqipërisë U-21, sfidë në të cilën Sherif Kallaku parashikohet të jetë titullar. 21-vjeçari ka edhe 1 vit kontratë me Teutën dhe Djemtë e Detit synojnë të përfitojnë 300 deri 500 mijë euro nga shitja e tij.