Presidenti sirian Bashar Al-Assad duhet të largohet që nga momenti që do të vendoset një autoritet tranzicional, insistoi shefi i diplomacisë saudite Adel Al-Jubeir, duke vlerësuar se nuk ka asnjë mundësi që ai të mund të qëndrojë në pushtet. “Për ne është shumë e qartë, ai duhet të largohet në fillim të procesit të tranzicionit, jo në fund,” – deklaroi Al-Jubeir gjatë një konference për shtyp në Paris.
Bisedimet mes regjimit të Damaskut dhe opozitës, që pritet të fillojnë javën e ardhshme në Gjenevë, duhet të mundësojnë fillimin e një procesi të tranzicionit politik për t’i dhënë fund luftës që shkatërron Sirinë që prej pesë vitesh. Një udhërrëfyes ndërkombëtar i miratuar nga OKB parashikon vendosjen e një organi të tranzicionit deri në verë dhe organizimin e zgjedhjeve në mes të vitit 2017.