Si pasojë e sulmeve ajrore të avionëve luftarak rusë në një vendbanim verilindor të qytetit sirian Idlib, që gjendet nën kontrollin e opozitarëve, humbën jetën 15 persona, ndërsa u plagosën 17 të tjerë. Sipas mediave ndërkombëtare, avionët luftarak të ushtrisë ruse kanë sulmuar në lagjet Et-Tinije, Maret En-Numan, Tel Minis dhe Fitejr të qytetit Idlib, të cilat janë nën kontrollin e opozitarëve.
Zyrtarët të cilët theksuan se nga bombardimet ruse kanë humbur jetën 15 civilë dhe janë plagosur 17 të tjerë, pohuan se ekipet e mbrojtjes civile në Tel Minis janë duke kërkuar nëse ka të vdekur dhe të plagosur nën rrënojat e shtëpive. Nga ana tjetër, një ndër aktivistët e mediave lokale në Maret En-Numan, Firas Faham, pretendoi se avionët luftarak rusë kanë bombarduar fshatrat ku ishin të strehuar sirianët të cilët kanë ikur nga sulmet ruse në Halep.