Motoçikletat në Durrës, makth për qytezat nga zhurma dhe shpejtësia e skëterrës
DURRËS, 17 gusht 2013 – Mjekët ë Durrësit nuk mund të shpëtonin vogëlushin e aksidentuar nga motoçikleta në plazh. Kjo ka ndodhur në pasditen e 16 gushtit 2013. Uniformat blu bënë identifikimin e kufomës. Ishte 7 vjeç dhe jo katër sikurse u raportua fillimisht. E. B. kishte ardhur nga Vushtria e Kosovës për pushime në Durrës bashkë me familjen. Por në çastin e aksidentit ka qenë jashtë kontrollit të prindërve, në shoqërinë e një shoku. Me sa duket, është orvatur të kapërcejë rrugën kryesore, kur e ka kapur një motoçikletë që ecte me shpejtësi skëterre mes përmes plazhit. Një kalimtar e ka çuar në spital në gjendje kome. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe është vënë në kërkim të drejtuesit të motoçikletës që përplasi 7 vjeçarin. Pas disa orësh është gjetur dhe motoçikleta e braktisur, tip “TMX” me targa DV8986, në afërsi të një rrugë dytësore në zonën e Plazhit. Policia sekuestroi kamerat e sigurisë të një lokali ku ndodhi përplasja dhe ka marrë në pyetje tre dëshmitarë okularë.
Dukuria
Në qytetin bregdetar është bërë tejet shqetësuese zhurma dhe shpejtësia e skëterrës së motoçikletave në Plazh, Bulevardin kryesor dhe rrugë të tjera. Policia rrugore, për fat të keq, nuk ka ndonjë strategji për të shmangur dukurinë. Durrësi dëmtohet rëndë në imazh si qendër turistike, ku njerëzit vijnë për qetësi dhe jo për zhurmë dhe mundësi aksidentesh. Rasti tragjik i vogëlushit nga Kosova duhet të shërbejë si një kambanë alarmi për institucionet publike, vendore dhe qendrore. Nuk përjashtohet që njerëz të veçantë të jenë të lidhur me rrjetin ndërkombëtar kriminal të motoçiklistëve, sikurse është paralajmëruar nga Interpoli. “Djajtë” po zënë vend edhe në Shqipëri. Kjo siluron gjithashtu sigurinë kombëtare.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





