Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se Korpoorata e Investimeve Shqiptare (AIC) do të shpallë së shpejti edhe proceset për ndërtimin e sistemit të ri të parkimeve në kryeqytet dhe në bregdet.

Kryeministri Rama ishte sot i pranishëm në fazën finale të garës ndërkombëtare për projekt-ide arkitekturore për rilindjen e stadiumit “Selman Stërmasi”, ku 5 skuadrat finaliste do të prezantojnë konceptet e tyre arkitektonike.

Kryeministri informoi se AIC do të shpallë së shpejti edhe proceset për ndërtimin e një sistemi të ri parkimesh në kryeqytet dhe në bregdet, ku do të përfshihen të gjithë arkitektët ndërkombëtarë.

“Ata janë pjesë tanimë e përditshmërisë sonë dhe janë një rrjet i jashtëzakonshëm me të cilët do të organizojmë edhe Festivalin e Arkitekturës në Tiranë, Festivalin Ndërkombëtar në fillim të qershorit”, shtoi Rama.

Duke folur për sistemin e ri të parkimeve, Kryeministri theksoi se qëllimi është që t’i përgjigjemi një sfide të madhe të këtij zhvillimi që sjell nevojën për shumë më tepër parkime dhe për një sistem shumë më të pranueshëm të qarkullimit, që ndërkohë ka filluar të japë shenja vështirësie të dukshme.