SHBA – Në SHBA ka shumë akademikë, por kompanive u mungojnë punëtorët e kualifikuar. “Nisma Skills” e Ambasadës Gjermane mund ta ndryshojë situatën, por kompanitë amerikane duhen bindur për të nxitur arsimin e mesëm profesional (dual system of vocational training). SHBA ka një problem, pasi “universitetet tona dhe programet tona të trajnimit për të diplomuarit janë të nivelit ndërkombëtar, – sqaron Rebeka Blank, zëvendësministre e Tregtisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, – “por ne jo gjithmonë kemi sukses në përgatitjen e nxënësve, të cilët nuk duan të ndjekin katër vjet universitetin, por janë të interesuar të mësojnë ndonjë profesion teknik apo për një vend pune, të mësojnë një zanat”. Pikërisht për të tillë punëtorë nevoja është gjithnjë e më e madhe. Industria amerikane pas dekadash të tëra rënieje po e merr veten sërish. Shembulli më i mirë i kësaj rritjeje janë kompanitë e mëdha të makinave në Detroit, njoftojnë media gjermane.
Në një fjalim drejtuar kombit vitin e kaluar presidenti Barack Obama e quajti si çështje me prioritet të lartë mbështetjen e ndërmarrjeve prodhuese në SHBA. Por për këtë është i nevojshëm një riorganizim i sistemit arsimor – dhe “Sistemi dual i arsimit profesional” i Gjermanisë mund të shërbejë si një model i mirë. “Ai ofron përparësi të konsiderueshme duke kombinuar shkollëme përvojën praktike. Dhe Gjermania ka treguar se kjo mënyrë funksionon shumë mirë”, tha Blank në një aktivitet të zhvilluar në Ambasadën gjermane në Uashington. Ky sistem forcon gjithashtu ndërmarrjet prodhuese, konkurrencën dhe ekonominë. Ambasada gjermane në Uashington filloi majin e vitit të kaluar me një program (Skills Initiative) në bashkëpunim me kompanitë gjermane dhe amerikane, agjencitë qeveritare dhe institucionet arsimore.
Një shembull pozitiv për një bashkëpunim të tillë është universiteti në Karolinën e Veriut “Central Piedmont Community College” me 70.000 nxënës, i cili zbaton qysh prej 15 vjetësh modelin gjerman të mësimit profesional, thotë presidenti Toni Cajs (Tony Zeiss). Ata kanë përshtatur programin për nevojat e kompanive amerikane duke reduktuar kohën e studimit nga katër në dy vjet. Në fillim ka pasur probleme për t’i bindur amerikanët mbi avantazhet e këtij programi.