NGA SKËNDER KAPITI
Në Shqipëri kemi 25 vite që dëgjojmë fjalën reformë, reformë. Reformë do të thotë ndryshim dhe zgjidhje për në të mirë dhe për të përmirësuar, reformë do të thotë ndryshim në mënyrë të tillë që të përmirësohet qeverisja, demokracia, liria dhe shteti në vazhdimësi dhe pandërprerë paqësisht drejt të vërtetës, drejtësisë, sigurisë dhe mirëqenies.
Ndërsa në Shqipëri janë bërë reforma, që vetëm kanë përkeqësuar,duke bërë, jo progresin, por regresin.Madje një regres afatgjatë traumatik, depresiv dhe konfliktuale.Janë bërë reforma të tilla që ua kanë nxirë dhe skëterrosur jetën qytetarëve; reforma që shteti shqiptar perceptohet sot, si nga opinioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar, si një shtet joligjor dhe i prapambetur nga pikëpamja civilizuese dhe demokratike.
Të gjitha këto janë pasojë e sundimit të antiligjit apo të ligjit të xhunglës, sundimit mbishtetëror dhe mbiinstitucional të drejtësisë së mafies, krimit dhe korrupsionit.Dhe prej këtij realiteti shqiptarët vetëm e vetëm sa kërkojnë të largohen nga Shqipëria për diku tjetër për të gjetur shpëtimin prej bashkëqytetarëve, drejtësisë dhe prej shtetit të vet, a thua se janë dhe kjo gjendje u vjen si mallkim.
Deri më tani ndërmarrja apo bërja e të ashtuquajturave reforma, në fakt, janë antireforma ose më saktë ishin reforma antipublike, kundërintelektuale dhe korruptive, që zbatoi politika gjatë sundimit të pushtetit politik, ekonomik dhe juridik të saj, duke abuzuar me pushtetin e që janë bërë në ekonomi, me pronat, privatizimet, tenderimet, në arsim, në shëndetsi, në polici dhe në të gjitha degët dhe institucionet qeverisëse; reforma këto bërë për vjedhjen, mashtrimin dhe spekulimin e kthimit të pronave dhe të kompensimit për padrejtësitë e së shkuarës.
Ky është tranzicioni me reforma e antireforma pazaresh e poshtërsish, që ka kryer politika në çdo sferë sociale e qeverisjeje, produkt i të cilave ka qenë mirëkorrupsioni, krimi, abuzimi dhe vjedhja. Ky është tranzicioni i reformave të ligjërimit të vjedhjes dhe grabitjes së pronave dhe pasurive të të tjerëve, i tjetërsimit të të drejtave të të tjerëve. Ky është tranzicionii ligjërimit të të paligjshmeve, tranzicion i drejtimit të shtetit dhe drejtësisë prej njerëzve të dehumanizuar nga ndjenja e pronës; tranzicion që u pri dhe drejtua dhe drejtohet nga njerëz pa përkatësi e trashëgimi pasurore dhe pa trashëgimi patriotike.Ky tranzicion u drejtua prej njerëzve që nuk ia dinë as kuptimin e fjalës tapi dhe jo më të së drejtës qytetare, pronësore, juridike e shtetërore.Ky tranzicion u pri dhe drejtohet prej njerëzve me formësim e botëkuptim hibrid ndërmjet atij patriarkalo-krahinor me atë komunisto-ateist.
Në krye të kësaj zallamahie e zullumi qëndron drejtësia shqiptare; kjo avokaturë e mafies politike dhe ekonomike; kjo avokaturë e krimit dhe e korrupsionit; kjo avokaturë e pushtetarëve dhe e të fortëve të pushteteve të korruptuara dhe të korrupsionit të vet.
Kjo është drejtësia e sistemit piramidal kriminal të korrupsionit dhe të trafikimit të së drejtës, që i ka paraprirë degjenerimit dhe degradimit të shtetit dhe të shoqërisë; pasi në këtë farë drejtësie, në tërë sistemin e saj, pas rënies së komunizmit, mbetën dhe reforma u bë me dhe nga ata ish-prokurorë dhe gjyqtarë të gjyqeve politike dhe nga persekutorët më të zellshëm të diktaturës dhe të luftës së klasave.
Si të gjitha reformat që ndërmori politika, edhe reformën në drejtësi e nisi dhe e bitisi PD-ja, lidershipin e së cilës e kapën dhe e drejtuan ish-sigurimsat e shtetit të diktaturës komuniste, të atij ish-sigurimi famëkeq të terrorit që i shërbeu verbërisht diktaturës dhe që ka qenë gjykatësi, urdhërdhënësi dhe dirigjenti i drejtësisë dhe mafies komuniste.Atë pseudoreformë e bëri kasta politike, fillimisht e deri në agoninë e 23 qershorit 2013, u bë nga pushteti politik PD-ist me gjyqtarë ateistë, me pandjesi humane e shpirtërore.
Përveç kësaj, në emër të pseudoreformës në drejtësi, ajo u mbush me gjyqtarë e prokurorë të kurseve sezonale; u mbush me juristë me diploma e tituj të blerë dhe se me të tilla diploma këta palo juristë blenë dhe postet më të mira, fakt ky që u evidentua në forumin “Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri- 2015” mbajtur në Durrës.
Drejtësia u mbush me profesionistë amoralë e të korruptuar; drejtësia u mbush me asishjuristësh me rekorde kriminale prej atyre të së shkuarës po dhe të këtyre të pas saj; u mbush me shërbëtorë fanatikë e servilë, me lidhje politike, nepotike, krimi, fisnore, kanunore, krahinore dhe me injorantë, militantë e besnikë partie, që e degjeneruan dhe e degraduan drejtësinë deri në këtë gjendje.
Drejtësia shqiptare, institucionet e saj të çdo niveli i shërbyen dhe i shërbejnë politikës, parasë, vjedhjes, korrupsionit dhe tradhtisë publike e kombëtare, drejtësi kjo, në sistemin e së cilës, në krye të tij është vetinstaluar e konsoliduar një klikë apo kastë mafioze e fuqishme financiarisht. Kjo kastë mafiozee ka kapur sistemin politik e shtetin dhe ka guximin për të bërë gjithçka e çdo gjë duke mos pyetur dhe mos patur frikë as ligjin, as kushtetutën, as shtetin dhe as shoqërinë.
Madje, drejtësia shqiptare nuk do t’ia dijë as për diplomacitë, institucionet e drejtësisë ndërkombëtare, ku shteti shqiptar është pranuar, si p.sh. GJEDNJ-jae Strasburgut. Drejtësia dhe shteti shqiptar i kapur prej saj as që do t’ia dijë për vërejtjet e këshillat e diplomacisë së aleatit tonë të madh SHBA, as të BE-së ku duam të integrohemi dhe as të OSBE-së, Helsinkit etj., për domosdoshmërinë e reformave në drejtësi dhe për ndëshkimin e gjyqtarëve të korruptuar.
Drejtësia shqiptare e ka pronësuar drejtësinë, ajo është trafikante e të drejtave qytetare dhe të së drejtës shtetërore. Drejtësia e padrejtësive në Shqipëri dhe për pasojë korrupsioni gjithinstitucional shtetëror dhe shoqëror e mban peng integrimin, progresin dhe perspektivën e kombit dhe, për ironi të faktit,drejtësia, korrupsioni dhe mafia e saj frikësojnë dhe pengojnë edhe investimet dhe investitorët e huaj që të vijnë në Shqipëri.
Reforma në drejtësi nuk bëhet pavarësisht se kryeministri i vendit me të drejtë e akuzon drejtësinë si korporatë fitimprurëse, presidenti deklaron se drejtësinë e bëjnë injorantët dhe e jep zarfi i parave, ndërsa ambasadori amerikan nuk thotë zarfi, por thotë se drejtësinë në Shqipëri e jep thesi i parave. Pasi dihet që KLD-ja nuk ka bërë pothuajse asnjë ndëshkim për gjyqtarët e korruptuar, por është mburojë e korrupsionit në drejtësi.
Pra, drejtësia në Shqipëri nuk e zbaton dhe nuk varet nga ligji, por varet çfarë i imponon mafia; drejtësia shqiptare varet nga korrupsioni, trafikimet, krimi dhe nga politika dhe paraja e pisët. Prandaj kjo lloj drejtësie e konsoliduar tashmë në Shqipëri është mafia vetë, dhe si pasojë nuk kam dëgjuar që ndonjë qytetar ta ketë fituar të drejtën në Shqipëri pa ryshfet, pra pa e blerë atë. Të drejtën dhe ligjin kjo drejtësia shqiptare e ka nxjerrë në ankand dhe e fiton ai që paguan më shumë.
Drejtësinë në Shqipëri e ka bërë politika dhe pushteti, e ka bërë ish-Kryeministri Berisha.Po kujtojmë një rast p.sh. atë që kur e përzgjodhën Prokurore të Përgjithshme zonjën e nderuar Ina Rama.Berishafoli dhe e ngriti lart në parlament si të aftë e të denjë për ta luftuar krimin e korrupsionin duke e krahasuar me personazh heroik ndërkombëtar.Por kur Prokurorja kryente detyrën si institucion i pavarur, korrekt, konform ligjit e kushtetutës dhe jo sipas urdhrit politik të Kryeministrit dhe jo nën tutelën e tij, të gjithëve na kujtohet sulmi banal me fjalë të ulëta dhe ordinere kundër saj për ta denigruar atë publikisht. Madje edhe për turpin tjetër të madh e skandaloz se pasi asaj i mbaroi mandati si Kryeprokurore drejtësia politike dhe e korruptuar shqiptare e urdhëruar nga ish-kryeministri dhe nga KLD-ja e tij e lanë të papunë edhe si juriste.Dihet gjithashtu agresiviteti dhe sulmi i pështirë dhe i neveritshëm me fjalë të ulëta edhe kundër ish-presidentit Topi kur ishte president i Republikës dhe kryetar i KLD-së. Kur ky degradim,shantazh e kërcënim u është bërë Presidentit, Kryetarit të KLD-së dhe ndaj Kryeprokurores të zgjedhur nga pushteti i Berishës dhe i PD-së, merret me mend se ku e ka katandisur ish-pushteti drejtësinë.
Besoj se për publikun do të ishin të mjaftueshme vetëm këto dy raste, që dihen mirë publikisht, për të vërtetuarmoralin e reformave në drejtësi të bëra nga ai ish-pushtet. Mund të kesh vullnet për ta bërë reformën në drejtësi, po nuk mund ta bësh atë nëse ky vullnet bie poshtë vullnetit dhe dëshirës për pushtet, ku ky i fundit si qëllim kryesor i politikës i bindet presionit të instrumenteve ligjore manipuluese të dukshme dhe të atyre thellësisht joligjore e amorale të padukshme.Nuk bëhet reforma në drejtësi kur vullneti për ta bërë atë bindet dhe përdridhet prej rezistencës së segmenteve politikë të korruptuara si brenda vetë partisë dhe po ashtu nga komponentët politikë të tjerë, dhe kur i nënshtrohesh koalicionit politik me të cilin bën pushtetin me nevojën e numrave të të cilëve krijohet qeverisja.
Reforma në drejtësi kërkon guxim edhe po që se paguan kosto politike, në të kundërt, ajo mbetet gjithnjë në stadin hipokrit, deklarativ dhe spekulativ. Reformën në drejtësi në Shqipëri po e kërkon dhe po e mbështet tërë faktori politik ndërkombëtar perëndimor duke e quajtur të domosdoshëm dhe deri jetik për Shqipërinë. Në këtë gjendje ashtu si tërë shtetin dhe shoqërinë, edhe drejtësinë e solli PD, me të cilën padrejtësisht dhe, në mënyrën më hipokrite, ajo u vetidentifikua me demokracinë, rolin e misionin e saj për të vendosur demokracinë në Shqipëri.
Po në realitet pas 25 vitesh duket që asgjë dhe asnjë nga premtimet dhe idealet e Lëvizjes së Dhjetorit, prej së cilës dhe lindi dhe që kishte si mision PD nuk u kryen, madje edhe mafia komuniste dhe ish-komunistët gjetën strehën dhe mbrojtjen më të mirë nën pushtetin e PD-së duke realizuar e shfrytëzuar mjaft mirë lidershipinkomunisto-ish-sigurims të saj e duke e manipuluar tranzicionin.
Të gjitha nismat në dukje si reforma, të gjitha organizimet politike e sociale dhe strukturat shtetërore dhe ato gjoja antikorrupsion si dhe mediat në Shqipëri kanë në themel e si qëllime të vetme atë të korrupsionit dhe të përfitimit prej buxhetit të shtetit të parasë publike dhe prej korrupsionit e trafikimit politik. Por më i korruptuari dhe më kriminali është sistemi gjyqësor, që tallet me sistemin politik(pra me demokracinë), që tallet më shoqërinë dhe qytetarët si një sistem piramidal financiarisht i pisët që trafikon dhe shfrytëzon burimet publike dhe qytetarët shqiptarë.
* Është autor i librit publicistik “Triumfi i kombit”, analist i gazetës “Sot”, banon në Durrës. Shkrimi i është dërguar redaksisë nga autori.
/portali DurrësLajm/