Kryeministri Edi Rama ka folur sot dhe për dixhitalizimin e shërbimeve nga Kadastra dhe për ankesat se sistemi online nuk po funksionon.

Në një konferencë shtypi nga Kryeministria, Rama bëri të ditur se gabimet kanë të bëjnë me aplikimet e bëra nga qytetarët.

Ai tha se sistemi funksionon, por nuk i futesh dot mik. Sipas tij, ata që nuk mund të marrin shërbimin nuk dinë të aplikojnë.

Duke bërë me dije se 30% e aplikimeve të bëra gabim janë nga noterët, Rama theksoi se ata duhet ta mësojnë që s’mund të kalojnë nga asnjë rrugë tjetër përveç sistemit.

 “As nuk diskutohet që sistemi funksionon njëherë e parë e punës dhe sistemi monitorohet në kohë reale. Por jemi në fazën kur sistemi duhet të mësohet nga ata që i përdorin dhe nga ana tjetër dhet të kapërcejë presionin negativ të atyre që kanë humbur pushtetin mbi Kadastrën. Noterë, sekserë, buburreca brenda në Kadastër, nuk ka më pushtet mbi fatin e aplikimit të një qytetari.

Dhe nga analizat e bëra po ju jap një fakt. 30% e aplikimeve të noterëve bëhen gabim. Sistemi ka një të keqe që nuk i futesh dot mik, o ta pranon o s’ta pranon. Pastaj, me sistemin e ri është bërë një operacion masiv i trajtimit të aplikimeve të mbetura. Që do të thotë kthim përgjigje për prapambetjet. Kultura e punës, njerëzit e mësuar ndryshe, ç’orientimi sepse shumë nga ata në Kadastër që e nxirrnin muajin jo me rrogën por me nderet që bënin, krijojnë ngërçin e tyre.

Kjo periudhë ka që vijnë shumë njerëz nga jashtë të mësuar me sistemin e vjetër dhe numri i aplikimeve ka pasur rritje shumë të madhe në periudhën e Gushtit. Në 15 Gusht për shembull, 32,534 aplikime. Me këtë sistem nuk ka rëndësi fare ku je. Mund të aplikosh për titullin e pronësisë nga Amerika.

Është perfekt sot funksionimi? Aspak. Pse? Sepse duhet të riaxhustohet gjithë ndërveprimi njerëzor. Kadastra do ketë rrjedhje të numrit të punonjësve ekzistues. Dorëheqjet vazhdojnë atje”, tha Rama.