Kryeministri Rama thotë se aplikimi i sistemit apo programit të ri për të hyrë në BE (ETIAS), nuk është një kthim mbrapa te vizat.

“Bëhet fjalë për një sistem sigurie të BE për të gjitha shtetet jo anëtare të BE, qytetarët e të cilave duan të hyjnë në BE dhe nuk kanë nevojë për vizë. Jemi në një shoqëri që besoj s’ka të sharë me amerikanët, zviceranët, britanikët, japonezët, që sipas këtij sistemi, do duhet që para se të nisen në BE, të bëjnë një aplikim online dhe ky aplikim nuk është për vizë. Thjesht e bën aplikimin, i cili futet në sistemi dhe ti merr konfirmimin nëse je apo jo i lejuar të hysh në BE, në bazë të kartelës kriminale.

S’ka lidhje fare kjo me qytetarët që s’kanë kartelë kriminale të regjistruar si person i lidhur me terrorizmin apo krimin e organizuar. Është e gjitha për shtetet që nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në BE. Nuk është kthim mbrapa te viza, siç me siguri do të predikohet nga të gjithë ata që duan të përhapin erën e pusetës digjitale në Gjirin e Lalzit. Është thjesht një filtër në funksion të politikës së sigurisë të BE kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar”, tha Rama gjatë komunikimit me gazetarët.

Kujtojmë se Bashkimi Evropian ka lajmëruar se do të prezantojë një sistem të ri vizash për udhëtarët që dëshirojnë të shkojnë në vendet e Shengenit. Ky program, i quajtur ETIAS, ose Sistemi Elektronik i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit, ka për qëllim filtrimin e udhëtarëve që vijnë nga vendet e tjera si një përgjigje për të siguruar kufijtë evropianë.

Programi ETIAS u mendua në vitin 2016 dhe u deshën katër vjet për t’u zhvilluar.

Nga viti i ardhshëm, të gjithë udhëtarët shqiptarë do të duhet të kenë një ‘ETIAS’ nëse dëshirojnë të vizitojnë një vend të Shengenit. ‘ETIAS’ është e vlefshme për kufijtë tokësorë, ajrorë dhe detarë, si dhe për udhëtarët të cilët do të kalojnë vetëm përmes vendeve të Shengenit gjatë rrugës për në destinacionin e tyre përfundimtar.

Shqiptarët do të duhet të marrin një ‘ETIAS’ nëse dëshirojnë të udhëtojnë në vendet e vendosura në zonën Shengen, e cila përfshin fqinjë të tillë si Greqia, Italia, etj.