Kryebashkiakja Emiriana Sako ka falenderuar qytetarët durrsakë që i janë përgjigjur thirrjes së Bashkisë Durrës për heqjen e rrethimeve metalike në varret e familjarëve të tyre në varrezat e vjetra të qytetit.
Në një postim në rrjete sociale, Sako shkruan se puna do të vijojë deri në sistemimin e plotë të gjithë territorit, ndërsa shprehet se kjo do të bëjë më të lehtë lëvizjen e qytetarëve që vizitojnë të dashurit e tyre të ndjerë.
POSTIMI I PLOTË
Vijojmë punën për sistemimin e varrezave. Falenderojmë të gjithë ata familjarë që i kanë hequr vetë rrethimet që bëheshin pengesë për kalimin duke ju përgjigjur thirrjes së Bashkisë Durrës dhe duke kryer një veprim qytetar në dobi të së mirës së përbashkët.
Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale në bashkëpunim me Ndërrmarjen Rruga po heqin të gjitha kangjellat, strukturat e tjera metalike dhe rrethimet tek varrezat e vjetra. Njëkohësisht po punohet për pastrimin e barishteve dhe mbeturinave inerte.
Puna do të vazhdojë deri në sistemimin e plotë të gjithë territorit. Pastrimi dhe sistemimi i varrezave e bën më të lehtë lëvizjen e qytetarëve që vizitojnë të dashurit e tyre të ndjerë.





