Vizita e kryeministrit Rama pasditen e së martës në Durrës pritej me interes të madh. Kjo dhe për shkak të kërkesës për dorëheqje të drejtorëve në bashkitë Vlorë dhe Fier.

Rama u prit në hyrje të bashkisë nga qytetarja e parë Emiriana Sako, e cila e shoqëroi kreun e ekzekutivit në sallën ku ishin mbledhur disa nga drejtorët vendorë, deputetët, kandidatët për deputetë të listës së hapur të PS etj.

Ankthi i mbërritjes së Ramës ia la vendin të qeshurave të relaksuara në daljen e tij nga bashkia, pas përfundimit të takimit. Por përtej situatës së shtensionuar, rezultati i mbledhjes ishte i njëjtë si në dy bashkitë simotra. Drejtorët në varësi të bashkisë dhe drejtorët rajonalë u ftuan të japin dorëheqjen, por kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht ndërprerjen e marrëdhënies së punës.

Do të jetë komisioni i përbërë nga 5 deputetët e listës së mbyllur Klodiana Spahiu, Milva Ekonomi, Loer Kume, Skënder Pashaj dhe Aurora Mara, që së bashku me kryebashkiaken Sako, njëherazi drejtuese politike e qarkut, do të vlerësojnë performancën e të gjithëve.

Procesi pritet të mbyllet brenda muajit korrik dhe secili prej drejtorëve do të vijojë ta mbajë ose jo detyrën pas shqyrtimit të punës së bërë prej tij/saj nga komisioni përkatës.

“DurrësLajm” mëson se në disa drejtori specifike, rajonale apo në varësi të bashkisë, nuk ka shkuar letra e dorëheqjes, sepse performanca e tyre e deritanishme nuk ka lënë dyshime për përmbushjen e të gjitha objektivave që kanë marrë përsipër.

Ndryshe nga Vlora, ku dorëheqjet masive u pranuan njëherësh dhe një dyzinë drejtorësh u zëvendësuan nga emra të rinj, në Durrës nuk pritet një ndryshim rrënjësor në drejtoritë vendore dhe ato rajonale.

Në këto ditë të nxehta vere, rifreskimi i disa pozicioneve drejtuese me emra të rinj duket se përveçse një lajm për mediat dhe qytetarët është dhe një mundësi më shumë për PS-në lokale të promovojë disa nga burimet e saj njerëzore dhe njëkohësisht të bëjë atë që kryeministri e kërkonte me ngulm para zgjedhjeve, rienergjizimin e partisë.

Mbetet të zbulojmë në orët dhe ditët në vijim se cilat do të jenë kokat e turkut, që në atë që u propagandua si aksion për lirimin e hapësirave publike po përdoret si aksion për lirimin e disa posteve drejtuese në emër të rifreskimit.

M.B.