Tani kur vala e koncesioneve të formës Partneritet Publik Privat ka përfshirë të gjithë sektorët, qeveria ende nuk i ka llogaritë e sakta. Situata është jashtë kontrollit. Nuk dihet sa koncesione janë, në çfarë niveli është zbatimi i kontratave dhe cilat janë risqet që ata përcjellin në arkën e shtetit.
Ministria e Ekonomisë ka shpallur prioritet këtë vit, në të cilin do të angazhojë një shumë prej më shumë se 83 mijë eurosh për krijimin një regjistri elektronik për koncesionet.
Në programin e reformave për këtë, Ministria e Ekonomisë synon që këtë vit të fusë një regjistër publik në lidhje me të gjitha aktivitetet e projekteve të PPP-së dhe do të publikojë përmbledhje të të gjitha kontratave të PPP-ve dhe të kontratave të hartuara nga vetë ato, duke përjashtuar këtu informacione të mbrojtura ose konfidenciale, për të garantuar transparencë të angazhimit të ndërmarrë nga qeveria qendrore.
Planet përfshijnë krijimin e një grupi pune në Ministrinë e Financave që do të merret me vlerësimin e risqeve fiskale, të propozojë masa për t’i zbutur risqet dhe të japin vlerësime të risqeve që të mund të përfshihen në dokumentet buxhetore që u dorëzohet parlamentit.
“Në fund të vitit 2016, ky grup pune do të vlerësojë risqet që rrjedhin nga aktivitetet e PPP-ve dhe kontratave koncesionare dhe nga detyrimet e prapambetura të njësive lokale dhe do të marrin në konsideratë nëse do t'u duhet të përcaktojnë sasinë e këtyre risqeve në llogaritë e tyre fiskale”, thuhet në Programin e Reformave të këtij viti të qeverisë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka vlerësuar koncesionet si një nga rreziqet më të mëdha fiskale, duke pohuar se tashmë të 55 partneritetet Publike dhe Private zënë 7 për qind të PBB-së dhe të tjera janë përfshirë në proces.
Ligji i koncesioneve kërkon Ministrinë e Financave për të mbajtur një regjistër të partneritetit publik-privat për të vlerësuar ndikimin i tyre buxhetor para se ata të jene nënshkruar, por qeveria nuk e ka publikuar regjistrin dhe nuk ka dijeni mbi parashikimet e pagesave që do të bëjë gjatë zbatimit të kontratave, referon Fondi Monetar Ndërkombëtar në një raport të posaçëm për transparencën fiskale. /MONITOR