Në një dalje për mediat, kryeministri Edi Rama ka bërë sot një përmbledhje të situatës me të cilën u përball vendi nga përmbytjet, pas rreshjeve intensive të shiut.
Rama tha se shteti është vënë totalisht në lëvizje për situatën dhe se pasojat këtë herë kanë qenë shumë më të pakta, në raport me pasojat nga koha kur binte shumë shi, përpara qeverisjes socialiste.
“Kemi qenë të kujdesshëm për të parë motin. Ministri i Brendshëm ka ndarë me mua situatën, edhe Ministria e Bujqësisë ka pjesën e vet në bilanc. Bashkë me ne do ishte mirë që të ishte edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, që nuk është e pranishme, për shkak të një angazhimi tjetër. Këta tre ministra kanë qenë në përballje dhe kanë shumë për të thënë për rezultatin. Bazuar në sasinë e reshjeve me të cilat jemi përballur këtë herë dhe bazuar me shifra krahasimore me reshje në të shkuarën, ne do sjellim pasqyrën e situatës, që lidhet me punë të përditshme për këtë ditë, që lidhet me investimet e mëdha që janë bërë në sektorin e kullimit, që lidhet me reformën të gjithë strukturë dhe varësisë së Emergjencave Civile dhe ngritjen e shtetit në nivel tjetër, duke funksionuar të gjitha hallkat shtetërore, që nga ministri i Mbrojtjes tek kryeplaku”, tha Rama.





