27 gusht 2013- Kryeministri Sali Berisha përshëndeti sot qëndrimin e SHBA-ve dhe aleatëve mbi ngjarjet e fundit në Siri, ndërsa theksoi se qeveria shqiptare është e gatshme të japë mbështetjen e saj modeste për të gjitha veprimet që do të ndërmerren.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, shpërndarë nga Kryeministria, Berisha thekson se qeveria e ka ndjekur me shqetësim të madh masakrën ndaj popullsisë, ku kanë vdekur më shumë se 100 mijë qytetarë, mes të cilëve edhe shqiptarë.
“Qeveria shqiptare ka ndjekur me shqetësim të madh masakrën ndaj popullsisë civile në këtë vend, në të cilin kanë vdekur mbi 100 mijë qytetarë sirianë, ndër të cilët edhe mijëra e mijëra qytetarë me origjinë shqiptare rezidentë të hershëm në lagjet kryesore të Damaskut dhe Alepos.”- thuhet në deklaratën e Berishës.“Qeveria shqiptare ka qenë dhe mbetet e gatshme të mbështesë politikisht, por dhe me të gjitha mundësitë e tjera modeste, si vend anëtar i NATO-s, SHBA-të dhe Aleancën e Atlantikut të Veriut, në çdo veprim që duhet të ndërmerret për t’i dhënë fund masakrimit të popullsisë siriane dhe mbështetur opozitën siriane në ndërtimin e një Sirie të lirë dhe demokratike.”- përfundon Berisha.
/panorama/





